Mesazh i qartë nga Mario Mitaj për De Rossin: Nëse trajneri më zgjedh, do të jap 100%

Mario Mitaj po shijon aventurën e tij te Genoa, ndërsa pas fitores 1-0 ndaj Venezias, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka folur për përshtatjen me skuadrën, kampionatin italian dhe objektivat e tij për të ardhmen.
Në konferencën për shtyp të mbajtur në stadiumin “Luigi Ferraris”, në Marassi, futbollisti kuqezi u shpreh i kënaqur me ambientin që ka gjetur te Genoa, duke vlerësuar grupin e lojtarëve dhe punën e përditshme me stafin teknik.
“Jam shumë i lumtur. Është një grup i shkëlqyer djemsh. Punojmë shumë fort me lojtarët dhe stafin e trajnerëve. Patëm një fillim shumë të vështirë, por ndeshje pas ndeshjeje jemi përmirësuar”, deklaroi Mitaj.
Mbrojtësi shqiptar theksoi se skema e përdorur në ndeshjen ndaj Venezias ishte e përshtatshme për të, pasi bëhet fjalë për një sistem loje me të cilin është mësuar gjatë karrierës së tij. Për Mitajn, rëndësi kishte mbi të gjitha marrja e tri pikëve.
Ai u ndal edhe te goli i shënuar nga Ellertsson, i cili vendosi fatin e takimit. Mitaj vlerësoi autorin e golit, duke shpresuar që ai të vazhdojë të ndihmojë skuadrën me realizime të tjera.
Sa i përket eksperiencës në Serie A, futbollisti kuqezi e konsideron kampionatin italian një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e tij. Sipas tij, niveli i lartë taktik i futbollit italian mund ta ndihmojë të përmirësohet edhe më shumë si lojtar.
“Jam shumë i lumtur që jam te Genoa. Vij nga një ligë tjetër. Është një ligë shumë taktike, por mendoj se kjo do të më ndihmojë si lojtar. Ishte një zgjedhje e shkëlqyer”, u shpreh ai.
Në fund, Mitaj foli edhe për rolin e tij në skuadër dhe konkurrencën për një vend në formacion. Mbrojtësi shqiptar theksoi se është i gatshëm të luajë në çdo pozicion ku e kërkon trajneri dhe se do të vazhdojë të punojë fort, pavarësisht minutave që do të marrë.
“Nëse trajneri më zgjedh, do të jap 100%, dhe nëse nuk më zgjedh, do t’i mbështes shokët e mi të ekipit”, përfundoi Mitaj.
Deklaratat e tij tregojnë gatishmërinë për të kontribuar te Genoa dhe për të shfrytëzuar mundësinë në futbollin italian, me synimin për të fituar më shumë hapësira dhe për të vazhduar rritjen e tij profesionale.




