Kancelari gjerman Friedrich Merz ka pranuar se rezultati i dobët i CDU-së në zgjedhjet e së dielës në Saksoni-Anhalt përbën një goditje të fortë për partinë, duke paralajmëruar se ai do të ketë pasoja serioze. Megjithatë, ai bëri të qartë se nuk ka ndërmend të ndryshojë kursin e qeverisë apo të heqë dorë nga reformat e planifikuara.
Në daljen e tij të parë publike pas zgjedhjeve, Merz, i shoqëruar nga kandidati i CDU-së në land, Sven Schulze, nuk e fshehu zhgënjimin për rezultatin.
Lexo edhe :
“Jemi thellësisht të tronditur. Nuk e prisnim në këtë masë”, deklaroi kancelari, duke shtuar se rezultati elektoral, si çdo rezultat në një demokraci, duhet respektuar.
Merz iu referua gjithashtu faktit se rreth 60% e votuesve u drejtuan, sipas tij, drejt partive “jodemokratike”, duke përfshirë në këtë kategori AfD-në, BSW-në dhe Die Linke.
Megjithatë, ai theksoi se institucionet demokratike të Gjermanisë mbeten të forta dhe janë në gjendje të mbrojnë sistemin demokratik.
“Politika ime ishte në qendër të fushatës”
Kancelari pranoi se si ai personalisht, ashtu edhe politika e ndjekur nga qeveria e tij, ishin në qendër të debatit gjatë fushatës elektorale.
Megjithatë, Merz tha se nuk do të braktisë rrugën e reformave, të cilat i konsideron të domosdoshme, veçanërisht për brezat e ardhshëm.
“Do të bëj gjithçka që mundem brenda koalicionit, në mënyrë që, së bashku me SPD-në, të shpjegojmë më mirë pse kemi nevojë për këto reforma”, u shpreh ai.
Merz pranoi gjithashtu se diskutimet brenda strukturave të partisë pas rezultatit zgjedhor ishin “intensive dhe të gjata”, por nënvizoi se vazhdon të ketë mbështetjen e udhëheqjes së CDU-së.
“Rezultati na tronditi, por do të bëj gjithçka që është e mundur për të përballuar këtë situatë të re”, tha kancelari.
Sipas Merz, qeveria gjermane përballet me një proces të gjatë ndryshimesh dhe duhet të korrigjojë “gabimet e dekadave”.
Kancelari shtoi se nevojiten përpjekje shumë më të mëdha për të rikthyer lidhjen e qeverisë me qytetarët.
“E di se duhet të bëjmë më shumë për t’iu afruar njerëzve. Ndjej mbështetje të plotë nga udhëheqja e partisë”, deklaroi ai.
I pyetur për zgjedhjet e ardhshme në dy lande të tjera gjermane gjatë dy javëve në vijim dhe për mundësinë e humbjeve të reja, Merz përjashtoi një ndryshim të kursit politik.
Një pjesë e rëndësishme e deklaratave të kancelarit iu kushtua forcimit të së djathtës ekstreme.
Merz tha se po përpiqet të kuptojë shkaqet e kësaj rritjeje, duke kërkuar përgjegjësinë jo vetëm në situatën politike në Gjermani, por edhe tek vetja.
“Sigurisht që pyes veten për shkaqet e rritjes së populizmit të ekstremit të djathtë. Nuk i kërkoj ato në një trend ndërkombëtar, por këtu në Gjermani dhe tek vetja ime”, deklaroi ai.
Kancelari theksoi gjithashtu se “demokracia kërkon kompromise”, ndërsa pranoi se ende nuk e ka përfunduar analizën e tij mbi arsyet e rezultatit zgjedhor dhe zhvendosjen e votuesve.
I pyetur për qytetarët që tashmë vënë në dyshim besueshmërinë e tij, Merz pranoi se çështja e besimit e ka shoqëruar qeverinë që nga fillimi i mandatit.
Ai përmendi veçanërisht vendimet për mbrojtjen, rritjen ekonomike dhe ndryshimet lidhur me frenimin e borxhit, duke theksuar se qeveria tani duhet të rivendosë marrëdhënien e saj me qytetarët.
“Duhet të rikthejmë besimin e humbur të qytetarëve. Unë personalisht mora përsipër një ‘hua’ të madhe besimi, të cilën duhet ta shlyej”, tha kancelari.
Merz ishte i prerë kur u pyet nëse rezultati zgjedhor e ka bërë të mendojë për largimin nga posti.
“Mendoj për shumë gjëra, por jo për zgjedhjet e ardhshme. Nuk ka mendime për dorëzim”, u përgjigj ai./vizionplus.tv






