Nga Korça, kryeministri Edi Rama komentoi sulmet e opozitës për procesin e vaksinimit, duke pretenduar se ka patur edhe viktima nga injeksioni. Shefi i qeverisë tha se deklarata të tilla bëhen për të përhapur panik, ndërsa shtoi se e gjitha vjen nga ish-kryeministri Sali Berisha.

 

“Çfarë mund të komentoj unë për këtë kjo është thjesht një e re që është shumë e vjetër, sepse ne kemi parë që sa herë mbi shqiptarët bie fatkeqësi, Lulëzimi dhe të tjerët janë me fatkeqësinë dhe jo me shqipëtarët. Ka një përmbytje, janë me përmbytjen, ka një tërmet, janë me tërmetin, ka një virus, janë me virusin. Arrihet deri këtu sa të flitet për vdekjet e shkaktuara nga vaksinat pa asnjë lloj arsyetimi për të përhapur panik, këngë e përditshme nga Saliu prejt të cilit Luli varet kokë e këmbë.”

 

Rama tha se mazhoranca do të vijojë procesin e vaksinimit, ndërsa për opozitën u shpreh se po vijon infektimin e popullatës me fushatën elektorale.

 

“Këta janë ata, vaksina nuk mbron nga sëmundjet e tjera, vaksina nuk është një ilaç magjik që parandalon humbjen e jetës për shkak të sëmundjeve të tjera dhe vaksina vetë nuk është shkaktare e humbjes së jetës, histori e konfirmuar kudo. U bë gjithë ajo zhurmë por asgjë nuk ka, ja ku jemi sot, vaksinimi me AstraZenecan vazhdon kudo. Ne vazhdojmë vaksinojmë, ata infektojnë, sensibilizojmë për distancim, ata vazhdojnë sesnibilizojnë për mosvaksinimin që do të jetë vula që do t’i mbetet kësaj fushate mizerabël me vatra COVID kudo ku shkel.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *