Gazetarja e Vizion Plus Blerina Cene ka siguruar videon e momentit të arrestimit të Jamarbër Malltezit, dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Nga pamjet shihet se Malltezi është kapur nga krahët nga dy efektivë të veshur si civilë, ndërsa një tjetër i shoqëron dhe hap derën e mjetit me të cilin transportojnë anëtarin e Këshillit Kombëtar të PD-së.
Ai duket i veshur me një këmishë të bardhë dhe me një kapelë.
E gjithë kjo skenë ka ndodhur në zonën e jashtme të aeroportit të Rinasit, në pjesën e hyrjes kryesore.
Dhëndri i Berishës kishte shkuar në aeroport për të pritur bashkëshorten e tij, e cila po kthehej në Shqipëri.
Ndaj Malltezit rëndon akuza për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Berishën.
Gjithashtu, ai dyshohet se në bashkëpunim me ndërtuesin ka konsumuar veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
SPAK pretendon se Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër, ka favorizuar procedurat e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” dhe përfitues i drejtpërdrejtë ka qenë Malltezi.
Në tokën e ish-kompleksit “Partizani”, Malltezi, në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., ka kryer ndërtime dhe përfitimet llogariten në shumën 672 miliardë lekë ose 5 milionë euro.