Një 73-vjeçar në Britani është dënuar sot (6 gusht) me burgim të përjetshëm, pasi u shpall fajtor për vrasjen e një punëtori 55-vjeçar, i cili ishte zhdukur pa gjurmë në vitin 2019. Sipas hetimeve, Christopher Wright vrau Richard Dyson, copëtoi trupin e tij dhe më pas e fshehu në një fuçi të mbushur me beton, ku mbeti për gjashtë vite.
Sipas Daily Mail, 55-vjeçari jetonte në fermën e Wright dhe punonte herë pas here për të. Në vitin 2019, dy burrat u përfshinë në një debat të ashpër, pasi Wright, koleksionist i armëve të vjetra të zjarrit, dyshonte se Dyson po i vidhte sendet me vlerë dhe po i shiste.
Gjatë konfliktit, 73-vjeçari e qëlloi viktimën në dorë dhe në kraharor, duke e vrarë. Në ditët që pasuan, ai e copëtoi trupin dhe pjesët i vendosi në një fuçi me beton. Më pas, fuçinë e ngarkoi në një rimorkio dhe bindi një fqinj, i cili nuk kishte dijeni për krimin, ta ruante atë.
Familja e Richard Dyson ngriti alarmin pas zhdukjes së tij dhe vajza njoftoi policinë. Megjithatë, për vite me radhë autoritetet nuk arritën të zbulonin fatin e 55-vjeçarit. Vetëm vitin e kaluar u gjet trupi i fshehur në fuçinë mbi rimorkio, ndërsa më 14 korrik 2025 mbetjet mortore u identifikuan përmes analizave të ADN-së.

“Christopher Wright kishte punuar më parë si kasap. Prokuroria vlerëson se ai e vrau Richard Dyson, sepse dyshonte se po i vidhte armët e vjetra dhe po i shiste”, tha Prokurori Peter Moulson.
Dëshmia prekëse e vajzës së viktimës: Për gjashtë vite jetova në një makth
Vajza e Richard Dyson, Bethany Dainty, përshkroi në gjykatë vuajtjet që përjetoi gjatë viteve kur nuk dinte se çfarë kishte ndodhur me të atin.
“Nuk mund të mbaja zi, sepse nuk e dija të vërtetën. Kjo ma shkatërroi jetën dhe më ndryshoi përgjithmonë. Babai im u zhduk kur isha vetëm 19 vjeçe. Në atë moshë ke ende nevojë për prindërit, për mbështetjen, dashurinë dhe mbrojtjen e tyre. Ai nuk ishte vetëm babai im, ishte edhe miku im më i mirë. Flisnim çdo ditë dhe më vizitonte çdo fundjavë”, tha ajo.
Sipas saj, kur babai nuk iu përgjigj telefonatave, e kuptoi menjëherë se diçka nuk shkonte.
“E dija se ai nuk do të na braktiste kurrë. Për gjashtë vite zgjohesha çdo mëngjes me të njëjtat pyetje: A është i plagosur? A ka ftohtë? A pret që dikush ta gjejë? Apo ka vdekur? Ishte një makth i vërtetë. Nuk mund të mbaja zi, por as të vazhdoja jetën, sepse e dija se kishte ndodhur diçka e tmerrshme”, dëshmoi ajo.
Bethany tregoi se kaloi vite duke kërkuar të atin, ndërsa jeta e saj mbeti pezull.
“Të gjithë të tjerët vazhduan jetën, ndërsa e imja ndaloi. Më e dhimbshmja është se dikush e dinte të vërtetën gjatë gjithë kësaj kohe. Kur më në fund mora përgjigjen që e kisha frikë që në fillim, kuptova se babai im nuk do të kthehej më kurrë në shtëpi. Sot jam bërë nënë dhe, në vend që ta prezantoja vajzën time me gjyshin, më është dashur ta çoj te varri i tij. Këtë dhimbje do ta mbaj me vete për gjithë jetën”, u shpreh ajo.





