Policia Kufitare ka bllokuar një mjet lundrues (Jet Ski) dhe ka ndëshkuar drejtuesin e tij me masë administrative prej 300 mijë lekësh, pasi shkeli perimetrin e sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, kanë intensifikuar kontrollet dhe patrullimet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me synimin për të garantuar sigurinë e pushuesve dhe zbatimin e rregullave të lundrimit.
Gjatë patrullimit në zonën e njohur si “Plazhi i Hidrovorit”, në Zvërnec, efektivët konstatuan një Jet Ski që kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, në hapësirën ku po laheshin pushuesit, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.
Pas përfundimit të veprimeve administrative, mjeti lundrues u bllokua, ndërsa ndaj poseduesit të tij, shtetasit me iniciale A. V., u vendos masë administrative në vlerën 300 mijë lekë (të reja), në zbatim të legjislacionit në fuqi.
Policia e Shtetit u bën apel të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke shmangur hyrjen në zonat e përcaktuara për pushuesit. Sipas autoriteteve, çdo shkelje që cenon sigurinë e pushuesve do të ndëshkohet në përputhje me ligjin.





