Pas pistës së re të atletikës në Parkun e Liqenit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kofirmoi zhvillimin e dy projekteve të reja të ngjashme me “Arenën Kombëtare”, një për Pallatin e Sportit dhe një për stadiumin “Selman Stërmasi”.

 

Gjatë ceremonies për nderimin e Kampiones së Europës, Luiza Gega, Veliaj tha se tashmë kanë filluar procedurat për dy projektet e reja të rëndësishme në fushën e sportit. “Me kërkesë të Kryeministrit kemi filluar procedurat për të realizuar të njëjtin projekt si te “Arena Kombëtare”, edhe te Pallati i Sportit dhe stadiumi ‘Selman Stërmasi’”, tha ai.

 

Teksa tha se Bashkia e Tiranës ka aplikuar që vitin tjetër të jemi “Kryeqyteti Evropian i Sportit”, Veliaj shtoi se Luiza Gega nuk është marrë kurrë “me sportin e rrezikshëm të sharjes së vendit”.

 

“Edhe në ditët kur nuk ishte kjo qeveri e kjo bashki, as këto kushte, Luiza nuk e praktikonte kurrë sportin e sharjes së vendit të saj, s’e ka bërë kurrë as në ditët e vështira, nuk i doli kurrë një fjalë e keqe”, tha ai.

 

Kreu i Bashkisë u shpreh se edhe në rastin e ndërtimit të Pistës së re të Atletikës te Parku i Liqenit nuk munguan akuzat.

 

“Garën se kush është më cinik, kush është më skeptik, kush bën humor më të zi, duhet ta ndërpresim menjëherë. Mbaj mend, kur filluam pistën te Liqeni, të cilën ia kisha premtuar publikisht Luizës, e kishim merak a do kishim në Shqipëri një pistë të mirëfilltë për garat me pengesa. Por, më ka marrë më shumë kohë marrja me ‘lapsat’ e ‘stilolapsat’ e portaleve, me Jeta osh Qejf e ‘jeta është gallatë’, me çdo lloj trafikanti droge që ka televizion në këtë vend, se sa të ndërtoja pistën. Nuk e kam problem për energjinë time, por humbet koha e çmuar në këtë vend, humbasim kohë pa fund me gjobëvënie. Ndërkohë, sot themi të gjithë se jemi krenarë, por a ishim aty për ta mbështetur gjithë këtë punë? Ajo që mirëkuptoj janë patjetër nevojat, por ajo që gjithashtu kërkoj mirëkuptim është se në këtë vend ne duhet të bëjmë një pakt: Kush punon duhet lejuar të punojë”, deklaroi Veliaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *