Analisti Ergys Mërtiri ka komentuar procesin për zgjedhjen e kryetarit në Partinë Demokratike, duke e cilësuar atë si një proces pa garë dhe pa rivalitet real.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus, me moderator Roland Zilin, Mërtiri u shpreh se për herë të parë PD nuk ka një proces të mirëfilltë zgjedhor.
Ai theksoi se mungesa e kandidatëve përballë Sali Berishës tregon një situatë të mbyllur dhe jo demokratike, ndërsa shtoi se kryetari aktual shmang konkurrencën për të mos lejuar krijimin e alternativave brenda partisë.
Duke folur për të ardhmen e PD-së, Mërtiri u shpreh pesimist, duke theksuar se me Berishën në krye, partia nuk ka shanse për të ardhur në pushtet dhe rrezikon të tkurret më tej.
INTERVISTA E PLOTË:
Si e lexoni ju gjithë këtë proces që po ndodh në Partinë Demokratike për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së? Në një pamje të përgjithshme duket se nuk ka garë fare pasi nuk besohet të ketë rival përballë Berishës. Megjithatë doja të dija mendimin tënd.
Ergys Mërtiri: Sigurisht është një domethënë për herë të parë në Partinë Demokratike kemi një proces jo më tashmë thjesht të manipuluar apo një farsë apo një proces të trukuar apo një proces të kontrolluar nga kryetari i partisë, por tashmë kemi një proces që nuk është më proces. Pra, për herë të parë në Partinë Demokratike nuk ka më as garë, as pjesëmarrës që garojnë. Kjo do të thotë që Partia Demokratike sot është më hermetike se kurrë, është më jo demokratike se kurrë, është më e mbyllur se kurrë dhe tregon që ka mungesë të thellë vullneti për t’u përballur me realitetet e saj. Pra, në kushtet kur kemi një kryetar i cili është më i kontestuar se kurrë për faktin që nuk e mund dot Edi Ramën dhe nuk vjen dot në pushtet, për herë të parë në kushte të tilla kemi një proces zgjedhor ku nuk kemi kandidatë rival. Kjo do të thotë që kjo parti ka humbur çdo lloj logjike dhe nuk është fare as në hullitë e arsyes normale.
Nga ana tjetër kemi zotin Salianji dhe Alesja Balliun, të cilët më herët janë përjashtuar ose të paktën zyrtarisht është deklaruar që janë përjashtuar nga PD-ja. Çfarë mesazhi përcjell kjo në të gjithë, le të themi radhën e demokratëve që mund të synojnë nesër të kërcënojnë në thonjëza vendin e Berishës?
Ergys Mërtiri: Kjo përcjell idenë që zoti Berisha ka frikë të përballet me konkurrim. Unë nuk besoj që ka frikë se do t’i humbë zgjedhjet sepse është një proces që ai kontrollon nga fillimi deri në fund, por ai ka frikë nga një pjesë e madhe e anëtarëve të Partisë Demokratike e cila është kundër tij dhe kjo pjesë mund të kapitalizohet, mund të organizohet dhe të prodhojë një alternativë opozitare. Berisha është i interesuar mbi të gjitha për të mos lejuar fraksione brenda partisë. Çdo zë opozitar brenda partie kundër krerëve artikulon diçka që është krejtësisht e arsyeshme, fakti që Berisha duhet të largohet. Ai nuk lejon të ketë garë fare sepse po u lejua gara, do lejohet që të artikulohet ajo çfarë është normale dhe e duhura për PD-në, dhe kjo mund të prodhojë efekte të dëmshme për zotin Berisha personalisht.
A mund të presim në ditët në vijim një zhvillim, një goditje ndoshta në gjykatë nga të përjashtuarit, qoftë nga zonja Balliu, qoftë nga zoti Salianji ose zonja Kokalari?
Ergys Mërtiri: Sigurisht që kjo është gjëja që i druhet Berisha. Berisha e di shumë mirë që me akuzat e tij ai nuk mund të përballet në gjykatë dhe do ta humbë gjyqin. Kështu që për këtë arsye, Berisha ka vendosur në mënyrë të fshehtë një nen përjashtues i cili ndalon këdo që ka një vendim të formës prerë. Paradoksalisht, Berisha po thotë që nëse të kanë dënuar “gjykatat e Edi Ramës”, atëherë ti nuk lejohet të kandidosh. Ndërkohë që vetë në statut, nuk lejohet të kandidojë sepse ka humbur procesin dhe ai thotë që procesi është falsifikuar sepse është vjedhur nga Rama. Ky person thotë që ai i cili është dënuar nga proceset e “falsifikuara” të Ramës nuk ka të drejtë të kandidojë. Pra, në këtë kuptim, zotit Berisha i vjen në ndihmë Rama për ta penguar Salianjin që të kandidojë kundër tij dhe ky është paradoksi i thellë që e kthen situatën në qesharake.
Si e shikon të ardhmen e PD-së me zotin Berisha sërish në krye të partisë më të madhe të opozitës?
Ergys Mërtiri: Është në hullitë ku është. Me zotin Berisha, Partia Demokratike e ka të sigurtë që nuk fiton dhe do ta thellojë humbjen. Partia Demokratike po vjen duke u tkurrur, duke u kthyer në një garnizon militantësh të cilët nuk përfaqësojnë dot shoqërinë shqiptare. Në këto kushte partia do asfiksohet gjithmonë e më shumë dhe do jemi në pritje derisa të krijohet ndoshta një parti tjetër për të mundur Ramën.
/vizionplus.tv





