Presidenti Donald Trump ka kërcënuar se do të ndërpresë të gjitha marrëdhëniet me  Kinën pasi dështuan të izolonin virusin Covid-19.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka përsëritur edhe njëherë se ka prova të mjaftueshme që vërtetojnë origjinën jo-natyrore të koronavirusit të ri, por nuk pranoi të flasë më tepër rreth tyre.

87 mijë njerëz kane humbur jetën ndërsa rreth 1.5 milionë të tjerë janë infektuar. Presidenti Trump gjithashtu deklaroi se vaksina do të jetë gati në fund të këtij viti dhe janë marrë të gjitha masat për shpërndarjen sa më të shpejtë në popullatë.

Por ndërkohë një ish-zyrtar i lartë shëndetësor ka deklaruar në kongresin amerikan se vendi mund të përballet me dimrin më të errët në historinë moderne, për shkak të koronavirusit. Rick Bright, ishte udhëheqës i një agjencie qeveritare, që bëri përpjekje të zhvillonte një vaksinë, por u shkarkua nga posti i tij, muajin e kaluar.

Sipas tij, mungesa e veprimit nga ana e autoriteteve në fazat e hershme të pandemisë ka shkaktuar më shumë të vdekur. Presidenti Donald Trump, ka thënë se e ka shkarkuar zyrtarin amerikan pasi ai ishte një “punonjës i pakënaqur”.

Rreth 36 milionë njerëz janë regjistruar si të papunë, që nga shpërthimi i pandemisë së koronavirusit në SHBA, në mesin e muajit mars. Ekonomia amerikane u tkurr me 4.8 për qind në tremujorin e parë të vitit 2020.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *