Pa kaluar një javë nga nisja e reduktimit të përdorimit të qeseve plastike, nismës së bashkisë së Tiranës i janë bashkuar edhe 7 rrjete supermarketesh.

 

Teksa firmosën marrëveshjen me Bashkinë, kryetari Erion Veliaj vlerësoi gatishmërinë e këtyre kompanive për të patur një qytet më të pastër.

 

“Kemi probleme të panumërta në një qytet që është ndërtuar për 200 mijë banorë dhe sot ka 1 milionë banorë; shpesh kanalizimet bllokohen, po ashtu edhe impiantet e grumbullimit të mbetjeve, kazanët, gjithashtu në sheshpushimet e lagjeve, në këndet e lodrave shohim katastrofa mjedisore nga papërgjegjshmëria. Ndaj, është e rëndësishme që këto rrjete supermarketesh të bashkuara në këtë nismë me Bashkinë e Tiranës, të garantojnë një qytet më të pastër.”

 

Veliaj tha se vetëm në një javë është ulur ndjeshëm përdorimi i qeseve plastike nga qytetarët.

 

“Duke parë ditët e para se si është reduktuar ndjeshëm përdorimi i qeseve plastike, vetëm nga fakti që ka hyrë një pagesë modeste, më mbush me shpresë për një Tiranë shumë më të pastër dhe për një Tiranë që eventualisht në një periudhë disa mujore, me gjasë do të reduktojë në maksimum përdorimin e qeseve plastike. Dua të falenderoj të gjithë ata qytetarë, duke filluar nga fëmijët që e përqafojnë të parët ndryshimin, duke vijuar me amvisat dhe ata që bëjnë pazarin, se po e çojnë Tiranën drejt një sjellje moderne, ku pavarësisht çfarë ndodh në politikat e mëdha, në politikat e vogla të qytetit, të gjithë po sillemi nga pak perëndimorë”.

 

Nisma për të përdorur sa më pak qeset po zbatohet prej një jave në kryeqytet, ku një pjesë e njerëzve kanë nisur t’i zëvendësojnë ato me trastat e rrobës.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *