Shtëpia e Bardhë deklaroi këtë të premte (1 maj) se nuk do të bëjë publike detaje nga bisedimet diplomatike private, duke iu referuar një propozimi të ri të Iranit drejtuar Shteteve të Bashkuara, i cili është përcjellë përmes ndërmjetësve pakistanezë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha për Reuters se administrata amerikane mbetet e vendosur në qëndrimin e saj ndaj Teheranit.
Lexo edhe :
“Nuk japim detaje për bisedimet private diplomatike. Presidenti Donald Trump e ka bërë të qartë se Irani nuk mund të zotërojë kurrë armë bërthamore, ndërsa negociatat vijojnë për të garantuar sigurinë kombëtare afatshkurtër dhe afatgjatë të Shteteve të Bashkuara”, u shpreh ajo.
Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Thesarit paralajmëroi se kompanitë detare që kryejnë pagesa ndaj Iranit për kalimin e sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit mund të përballen me masa ndëshkuese.
Sipas njoftimit, edhe pagesat e maskuara si donacione për organizata si Gjysmëhëna e Kuqe Iraniane mund të sanksionohen.
Autoritetet amerikane theksuan se janë në dijeni të kërcënimeve iraniane ndaj lundrimit detar dhe kërkesave për tarifa kalimi në këtë zonë strategjike, e cila mbetet një nga pikat më të ndjeshme për tregtinë globale të energjisë.






