12 vite burg ka qënë sërish kërkesa e Prokurorisë së Posaçme për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-drejtorin e Policisë së Vlorës Jaerd Çela.
Ashtu si përpara 2 vitesh, SPAK në pretencë ka kërkuar 12 vite burg për ish-zyrtarin e qeverisë Rama edhe në seancën e kësaj të hënë në Apelin e Posaçëm ku po shqyrtohet dosja e Tahirit i akuzuar për disa vepra penale.
Gjatë seancës pati disa ndërprerje për shkak të mungesës së energjisë elektrike, ndërkohë që pritet vendimi i gjykatës.
Tahiri u dënua nga Krimet e Rënda për shpërdorim detyre me 3 vite shërbim prove,
ndërsa Apeli i Posaçëm e prishi vendimin dhe e ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë. Më pas ish-ministri bëri rekurs pranë Gjykatës së Lartë e cila pranoi ta gjykonte çështjen.
Vendimi më 28 shtator i Gjykatës së Lartë e riktheu për rigjykim çështjen me trupë të re drejtuese. Tahiri u akuzua për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.





