Nga janari i këtij viti bizneset ishin në pritje të zyrtarizimit të nismës së shumë debatuar, asaj të fshirjes së detyrimeve të papaguara dhe rishikimit të pasqyrave financiare.
Por përpara se aktet nënligjore të hynin në fuqi, administrata fiskale, tatimet dhe doganat kanë bërë një tentativë për të mbledhur taksat e papaguara.
Edvin Prence nga shoqata “Pro-Eksport” denoncoi në Vizion Plus këtë aksion.
“Pak kohë më parë teksa bizneset po prisnin zbatimin e paqes fiskale, tatimorë dhe doganierë kanë bërë një “sulm” duke kontrolluar në subjekte debitore, të cilat do të ishin përfitues të amnistisë. Aksioni ngjasoi më shumë si një operacion fshese. Denoncimet nga anëtarët e shoqatës tonë janë që ky aksion krijoi bllokim të punës për bizneset”, tha Prence.
Sa i përket ligjit për paqen fiskale, bizneset e shohin me skepticizëm lidhur me ata që do të përfitojnë.
“Ekonomisë i duhet një amnisti, i duhet një vit zero. Dy ligjet që kanë nisur zbatimin nuk konsiderohen të tillë. Marrëveshja e paqes fiskale nuk ka transparencën e duhur. Duhet parë se kush janë përfituesit. A ka kompani që kanë përfituar edhe më herët nga faljet e pjesshme fiskale që kanë bërë qeveritë ndër vite? Nëse do të ketë transparencë do të shohim që janë të njëjtët njerëz”, sqaroi Edvin Prence në “E-ZONE”.
Në total janë 202 mijë biznese debitorë që nuk kanë paguar detyrimet ndër vite. Borxhi arrin në mbi 160 miliardë lekë.






