Një ngjarje e rëndë ndodhi mëngjesin e kësaj të diele në zonën e Fllakës, në Sektorin Rinia, në Durrës, ku një zjarr i rënë në ambientet e një magazine ka shkaktuar humbjen e jetës së një të riu emigrant dhe plagosjen rëndë të një tjetri.
Rreth orës 8 të mëngjesit, flakët kanë përfshirë ambientin e gatimit të subjektit si pasojë e shpërthimit të një bombule gazi.
Për pasojë, ka humbur jetën nga asfiksia 25 vjeçari nga Bangladeshi Omar Faruk .
Ndërkohë, një tjetër punonjës, rreth 30 vjeç, nga Kenia, është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e Policisë dhe forcat zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Grupi hetimor, ndërkohë vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Burimet bëjnë të ditur se viktima dhe shoku i tij ishin punonjës në fabrikën e prodhimit të skafeve në Durrës.





