Nga data 15 maj deri në 5 qershor bizneset me xhiro mbi 14 milionë lekë në vit mund të aplikojnë për të përfituar nga ajo që njihet si marrëveshja për “Paqen fiskale”.

Por teksa qeverisë iu deshën disa muaj për të zyrtarizuar aktet, biznesit i ka lënë vetëm 20 ditë kohë për aplikim. Bujar Bendo, auditues ligjor, i ftuar në emisionin “E-ZONE” tha se afatet nuk ofrojnë mundësinë për të përfitim gjithëpërfshirës.
“Afat janë shumë të shkurtra. Vetë administrata publike e ka të vështirë t’i përgjigjet në kohë, pasi janë një sërë dokumentesh që nevojiten të gjenerohen nga disa institucione për t’i dorëzuar në tatime, me qëllim përfitimi. Numri i aplikimeve do të jetë i kufizuar, ndërkohë që ligji ka afat edhe në dy vitet pasardhëse”, tha Bendo.
E teksa ligji për fshirjen e detyrimeve të papaguara është edhe më i thjeshtë dhe i qartë për tu kuptuar dhe zbatuar, ligji tjetër ai i “Paqes fiskale” kërkon kohë për tu kuptuar siç duhet. Në këtë pikë z. Bendo ka një apel për bizneset.
“Çdo biznes e ndjen vetë nëse ka bërë një evazion të “ligjshëm” pra ka para të padeklaruara nga aktiviteti i tij i ligjshëm dhe tashmë kërkon t’i deklarojë për të rritur më tej aktivitetin e tij. Por, çdo tentativë tjetër, që mund të lidhet me para informale që tentohet të legalizohen, bën mirë të mos rrezikojë. Nëse nuk i argumentoni dot fitimet shtesë, risku është katastrofik. Do paguani të gjitha detyrimet me normat e tatimit në fuqi”, sqaroi Bendo në Vizon Plus.
Nga ligji i paqes fiskale ka disa kategori biznesi që përjashtohen. Ata që janë të dënuar për veprat penale, ata që kanë një vendim të formës së prerë nga tatimet dhe doganat, ata në proces gjyqësor si dhe bizneset që nuk kryejnë projekte konçensionare.

/vizionplus.tv





