Paketa e re fiskale, Zepishta në Vizion Plus: Kush janë më të penalizuarit
Paketa e re fiskale do të sjellë ndryshime në tatimin mbi të ardhurat nga punësimi, por efektet e saj nuk do të ndihen njësoj nga të gjitha kategoritë e punonjësve.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, eksperti i politikave fiskale Igli Zepishta shpjegoi se më të penalizuarit nga ndryshimet do të jenë personat me paga të larta, ndërsa pjesa më e madhe e të punësuarve nuk do të kenë asnjë ndryshim në pagën neto.
Sipas Zepishtës, pagat mujore bruto mbi 670 mijë lekë do të tatohen me 32%, nga 23% që ishte norma e mëparshme. Ndërkohë, për pagat deri në 270 mijë lekë bruto parashikohet ulja e tatimit nga 23% në 13%.
“Më të penalizuarit do të jenë ata që kanë paga mujore bruto mbi 670.000 lekë. Nga 23% që tatoheshin deri më tani, pagat mbi këtë fashë do të tatohen me 32%. Ndërkohë, kemi një lehtësim për pagat deri në 270.000 lekë bruto në muaj, sepse nga fasha prej 23% që tatohen këtë vit, ato do të tatohen me 13%”, deklaroi Zepishta.
Megjithatë, eksperti theksoi se lehtësimi nuk prek shtresën e mesme dhe shumicën e punonjësve, pasi pagat mesatare dhe të ulëta mbeten jashtë ndryshimeve të parashikuara.
“Ky ndryshim i tatimit mbi pagën nuk e prek fare këtë shtresë, as pagën e mesme, as pagën e ulët. Pjesa më e madhe e punonjësve, të cilët kanë një pagë mesatare prej 1.000 eurosh në muaj ose 100.000 lekësh, nuk do të kenë asnjë lloj ndryshimi nga ajo që marrin sot”, u shpreh ai.
Sipas Zepishtës, përfitues të kësaj skeme do të jenë kryesisht punonjësit me paga të larta, në nivele drejtuese dhe administruese.
“Ne e dimë cilat janë pagat mbi 270.000 lekë në Shqipëri: nivel drejtorësh, administratorësh në ndërmarrje shumë të mëdha, e pastaj shkojmë në nivelin e ministrave e më lart. Kjo shtresë është përfituese”, tha eksperti.
Një tjetër shqetësim i ngritur gjatë intervistës ishte edhe mundësia që ndryshimet në tatim të nxisin deklarimin e pagave më të ulëta se ato reale. Për këtë, Zepishta vuri në dukje se do të ishte e nevojshme rritja e kufirit minimal të patatueshëm, në mënyrë që lehtësimi të përfshinte edhe më shumë punonjës.
“Sot një pagë prej 50.000 lekësh, që është vlera minimale, nuk tatohet, ndërsa mbi 50.000 lekë tatohet. Ne kemi kërkuar që kjo fashë të rritet minimalisht në 60.000 lekë, sepse në këtë rast do të përfitonte një pjesë e madhe e punonjësve, sidomos ata me paga të ulëta”, theksoi ai.
Sa u përket kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, eksperti sqaroi se paketa e re nuk parashikon ndryshime në përqindjet e tyre.
“Reforma në këtë rast nuk i prek sigurimet. Pjesa e sigurimeve dhe kontributeve nuk ka asnjë ndryshim me paketën e vitit 2026. Përqindjet do të jenë po ato”, përfundoi Zepishta.




