Tomorri: Paketa fiskale u ndryshua tri herë brenda një jave, ja kush rëndohet nga taksat e reja

Gazetari Klodian Tomorri ka kritikuar mënyrën se si është hartuar paketa fiskale dhe buxheti i vitit të ardhshëm, duke deklaruar se paketa është ndryshuar tri herë brenda një jave, me ndërhyrje rrënjësore.
I ftuar në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, Tomorri u shpreh se shpenzimet e qeverisë për vitin e ardhshëm parashikohen të jenë 760 milionë euro më të larta se këtë vit.
Ai theksoi se ndryshimet në taksimin e pagave nuk lehtësojnë barrën për shtresën e mesme, por përqendrohen te pagat më të larta.
“Ministri i Financave është i detyruar të japë sqarime, ndaj foli. Por kjo nuk do të thotë që paketën fiskale e ka bërë ai. Ministria e Financave kishte shpërndarë një tjetër paketë, të cilën e ndryshuan tri herë. Pra, paketa fiskale u ndryshua tri herë brenda një jave, me ndryshime rrënjësore. Kjo tregon se sa serioze është qeveria. Shpenzimet që do të bëjë qeveria vitin e ardhshëm janë 760 milionë euro më të larta se këtë vit. Janë projekte të mëdha që kanë nisur. Parashikohet të ketë një financim prej gati 100 milionë eurosh për Portin e Durrësit. Është parashikuar si fond në buxhet, por deri tani nuk ka gjasa për tenderim. Fasada është e tillë: do t’u merren të pasurve dhe do t’u shpërndahen të varfërve. Përveç dividendit, që rritet në 15 për qind, taksat e tjera nuk është se godasin të pasurit. Përkundrazi, godasin shtresën e mesme. Pagat deri në 2 milionë lekë të vjetra në muaj nuk përfitojnë asnjë lehtësim taksash, ndërsa përfitimi nis për pagat nga 2 milionë deri në 7 milionë lekë në muaj. Taksat për pagat nën 2 milionë lekë mbeten të njëjta”, tha Klodian Tomorri në Vizion Plus.




