“Dhuna zbehu kauzën e protestës”/ Malaj zbulon masat për studentët: Mbështetje 25 mijë lekë dhe 100 milionë euro për konviktet

Deputeti socialist Erion Malaj tha se ndryshimi i një qeverie duhet të bëhet përmes rrugëve demokratike.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, z.Malaj u shpreh se dialogu mbetet mënyra e vetme për të adresuar kërkesat e studentëve, ndërsa përmendi edhe disa masa të parashikuara për mbështetjen e tyre, përfshirë rritjen e mbështetjes financiare dhe investimet në konvikte.
Malaj kritikoi gjithashtu dhunën gjatë protestave, duke argumentuar se ajo ka zbehur kauzën reale të studentëve.
Pjesë nga intervista:
Rakipi: Çfarë ka konkretisht për të dialoguar Rama me studentët? Ata kërkojnë largimin e establishmentit.
Malaj: Çdo kërkesë e kujtdo për të ndryshuar një qeveri është në të drejtën e tyre. Por ka rrugë demokratike për ta arritur këtë. Është forma më e drejtpërdrejtë që ka sovrani. Sovrani flet kur ka zgjedhje. Ajo është e vetmja formë. Mënyra tjetër është vetëm diskutimi dhe dialogu. Studentët kanë kërkesat e tyre, por një pjesë e madhe e atyre që kanë kërkuar në vitin 2028 janë arritur. Një pjesë e reflektimit ndaj studentëve ndërkohë është edhe në buxhet. Është propozuar që të ketë rritje të mbështetjes për studentët në 25 mijë lekë, që është gjysma e pagës minimale. Janë parashikuar 100 milionë euro për konviktet. Është planifikuar të ketë kredi me interes 0 ose 3 për qind për studentët apo çiftet e reja. Ka shumë gjëra që mund të bëhen më mirë, ndaj është e rëndësishme dhe e nevojshme dialogu. Format e tjera që janë provuar, përfshirë edhe dhunën, për të cilën jam e sigurt që nuk e kanë ushtruar studentët, nuk janë zgjidhja. Ne e dimë që shumë elemente kanë qenë aty. Ajo nuk ishte një protestë që nisi apo lindi vetëm me kërkesën legjitime të studentëve, nuk ishte. Nëse dhuna bëri një gjë, ishte që zbehu kauzën reale të protestës. Format janë të përcaktuara me ligj.
/vizionplus.tv




