Vritet 31-vjeçar shqiptar në Itali, trupi u gjet në pus, autori dyshohet se e vrau për borxhet e drogës

Një shqiptar 31-vjeçar, Denaldo Maxhallaku, është vrarë në Itali, ndërsa trupi i tij u gjet të mërkurën në një pus në zonën e Longianos. Për ngjarjen është ndaluar një 29-vjeçar italian, i cili dyshohet se ka pranuar autorësinë e krimit.
Sipas mediave italiane, Maxhallaku, me profesion bojaxhi, banonte në Gatteo a Mare dhe ishte larguar nga shtëpia mbrëmjen e 8 tetorit, pasi i kishte thënë bashkëshortes se do të shkonte në lokal dhe do të kthehej në mbrëmje. Por, 31-vjeçari nuk u kthye më në shtëpi.
Dyshohet se u vra për borxhet e drogës
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, shqiptari dhe 29-vjeçari italian ishin takuar në banesën e këtij të fundit. Gjatë takimit, mes tyre kishte nisur një debat që dyshohet se lidhej me borxhet e drogës.
“Isha unë”, mësohet të ketë deklaruar 29-vjeçari, duke pranuar përfshirjen në ngjarje.
Pas vrasjes, ai hodhi trupin e 31-vjeçarit në një pus.
Më pas, dyshohet se i kishte vënë flakën makinës së viktimës, me qëllim zhdukjen e gjurmëve.
Bashkëshortja: Ishte një baba i përkushtuar
Ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e krimit, bashkëshortja e Denaldo Maxhallakut ka rrëfyer dhimbjen për humbjen e tij.
Ajo e përshkroi 31-vjeçarin si një bashkëshort të përkushtuar, një baba të kujdesshëm dhe një punëtor të palodhur, që e donte shumë vajzën e tyre vetëm një vjeçe.
29-vjeçari është arrestuar dhe pritet të transferohet në burgun e Forlit, në pritje të seancës për vleftësimin e ndalimit.
Ndërkohë, për të përcaktuar me saktësi shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së shqiptarit, pritet të caktohet ekspertiza mjekoligjore për autopsinë e trupit të 31-vjeçarit.




