“Kërkojnë kokën time”, Rama-protestuesve: Do të jem këtu deri ditën e fundit të kontratës me shqiptarët

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj dhunës në protesta dhe sulmeve në rrjetet sociale ndaj personave që nuk mbështesin protestuesit. Në një deklaratë, Rama e cilësoi dhunën si të papajtueshme me traditën familjare shqiptare dhe civilizimin europian, duke e krahasuar kapërcimin e kufijve të lirisë me praktikat e nazistëve dhe fashistëve.
Rama: Liria dhe e drejta e tyre, e të gjithë atyre që duan t’ua imponojnë të tjerëve mendjen, mbaron aty ku nis liria dhe e drejta e të tjerëve për të pasur idetë dhe liritë e tyre. Kjo na ndan nga sundimet totalitare apo xhungla, ku sundon dhuna.
Këtë kufi e kapërcyen me dhunë nazistët dhe fashistët. Pastaj, çfarë sollën për popullin dhe vendin, e dimë mirë të gjithë.
E dinë ata që nuk ngatërrojnë Ismail Qemalin me Ismail Kadarenë.
E pyes veten: a është e mundur të kuptohet kjo dhunë që gëlon në rrjetet sociale ndaj kujtdo që nuk i bën hosana kësaj turme? Një turmë që pretendon të mbështetet pa kushte në kuturisjen antidemokratike, e cila, me fjalorin e vet bazik, nuk ka asnjë fije respekti për asnjë formë dialogu apo ballafaqimi.
Më rezulton e pamundur.
As tradita familjare shqiptare, as civilizimi europian nuk kanë asgjë të përbashkët me përmbajtjen e kësaj dhune rinore. Me ndihmën e VIP-ave të ekraneve, po thyejnë automjete dhe po djegin edhe banka.
Detyra më ka çuar në çdo skutë të Shqipërisë. Mes pafundësisë së dritave dhe hijeve të realitetit tonë, kam parë se sa ndryshe dhe sa më e kthjellët është Shqipëria që nuk përfaqësohet nga kjo turmë, as nga ekranet televizive, që janë bërë si një kor i të dehurve nga kënaqësia e dhunës.
Të tërë këta thonë se duan kokën time, por unë, me shumicën që qeveris, jam pengesa e madhe mes tyre dhe asaj Shqipërie që ka lënë pas rrëmujat, që lufton korrupsionin dhe krimin në një drejtësi të pavarur, që sjell çdo vit më shumë se 12 milionë turistë, që respektohet ndërkombëtarisht më shumë se kurrë më parë dhe që po mbyll negociatat me BE-në.
Janë në të drejtën e tyre të kërkojnë dorëheqjen time, por unë jam dhe do të jem deri në ditën e fundit të kontratës me njerëzit e zakonshëm të Shqipërisë.




