Tragjedi në Spanjë nga përplasja e trenave, ndalet futbolli! Shtyhen 24 ndeshje të Kupës së Mbretit

Spanja është tronditur nga një aksident i rëndë hekurudhor në provincën e Toledos, ku përplasja e dy trenave ka shkaktuar dhjetëra viktima dhe shumë të plagosur. Përballë kësaj tragjedie, Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit ka vendosur të pezullojë 24 ndeshjet e Kupës së Mbretit që ishin programuar për t’u zhvilluar këtë të mërkurë.
Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Urda-s, në provincën e Toledos, ku dy trena me shpejtësi të lartë u përplasën, duke shkaktuar pasoja tragjike. Autoritetet kanë nisur operacionet e emergjencës, ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë në vendngjarje.
Sipas raportimeve të para, bëhet fjalë për dhjetëra viktima po bilanci është ende në përditësim.
Mediat kanë raportuar shifra të ndryshme për numrin e të vdekurve dhe të plagosurve, ndaj përmasat përfundimtare të tragjedisë mbeten për t’u konfirmuar.
Federata merr vendimin, shtyhen 24 ndeshje
Për shkak të rëndësisë së ngjarjes, Federata Spanjolle e Futbollit vendosi të pezullojë të gjitha 24 ndeshjet e raundit të parë të Kupës së Mbretit që ishin parashikuar për t’u luajtur gjatë mbrëmjes së sotme.
Në komunikatën zyrtare, institucioni bëri të ditur se vendimi u mor në shenjë respekti dhe solidariteti me viktimat dhe familjet e tyre. Datat e reja për zhvillimin e takimeve të shtyra do të njoftohen në një moment të mëvonshëm. Aksidenti ka ndikuar edhe në transportin hekurudhor mes Madridit dhe rajonit të Andaluzisë, duke krijuar vështirësi në lëvizjen e ekipeve dhe tifozëve. Për momentin, ndeshjet e programuara për të enjten mbeten në kalendar, në pritje të çdo vendimi të ri nga autoritetet sportive.
Spanja në zi, futbolli në plan të dytë
Pezullimi i ndeshjeve është një reagim ndaj përmasave të tragjedisë që ka tronditur vendin. Në një ditë kur vëmendja e tifozëve duhej të ishte te Kupa e Mbretit, futbolli është lënë në plan të dytë, ndërsa prioritet mbetet ndihma për të plagosurit dhe mbështetja e familjeve të prekura.
Një vendim që tregon se, përtej rivalitetit sportiv dhe rëndësisë së kompeticioneve, në momente të tilla solidariteti me viktimat dhe respekti për jetën vijnë mbi gjithçka tjetër.




