Rritet bilanci, 64 të vdekur nga përplasja e trenave në Spanjë! Dëshmi tronditëse: Dëgjuam britma, kishte viktima nën trena

Një aksident i rëndë hekurudhor është regjistruar këtë të mërkurë, më 28 tetor, pranë Toledos në Spanjë, ku dy trena të shpejtësisë së lartë janë përplasur, duke shkaktuar dhjetëra viktima dhe të plagosur.
Sipas të dhënave të raportuara deri më tani, të paktën 64 persona kanë humbur jetën, ndërsa 58 të tjerë po marrin trajtim në spitale. Mes të plagosurve, 15 persona ndodhen në gjendje kritike.
Ekipet e emergjencës vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në vendngjarje, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të ndryshojë.
Si ndodhi aksidenti?
Sipas informacioneve paraprake të raportuara nga mediat spanjolle, një tren i kompanisë Iryo ishte ndalur pranë Toledos, pas një udhëzimi nga kompania që administron infrastrukturën hekurudhore, për shkak të një problemi me sinjalistikën. Treni i kompanisë Renfe u përplas me të, duke shkaktuar daljen nga shinat të vagonëve të të dy trenave.
Njëri prej trenave transportonte 147 pasagjerë, ndërsa në tjetrin ndodheshin 397 persona. Të dy trenat po kryenin udhëtime drejt dhe nga Sevilja.
Sipas gazetës spanjolle El País, aksidenti ndodhi pak pas orës 09:00 me orën locale. Shkaqet e plota të përplasjes mbeten për t’u përcaktuar nga hetimet.
Dëshmitë e pasagjerëve: Dëgjuam një zhurmë të fuqishme
Dëshmitë e të mbijetuarve përshkruajnë momente paniku dhe skena të rënda në vendngjarje.
Një pasagjer i identifikuar si Miguel, i cili udhëtonte në vagonët e pasmë të njërit prej trenave, i tha radios COPE se dëgjoi një zhurmë të fuqishme që zgjati rreth 10 sekonda, duke krijuar përshtypjen se treni po dilte nga shinat.
Nga dritarja, ai pa një tren të dëmtuar, që dyshonte se ishte treni tjetër i përfshirë në aksident.
Një tjetër pasagjere, Patricia, e cila deklaroi se është shtatzënë, tregoi se kishte parë një vagon të përmbysur dhe tërësisht të djegur. Ajo vlerësoi qetësinë e pasagjerëve të tjerë, të cilët e ndihmuan të dilte nga treni.
Ndërkohë, një 17-vjeçare e identifikuar si Eduarda i tha radios Cadena SER se në vendngjarje mbizotëronte kaosi dhe se kishte parë viktima poshtë trenave.
“Dëgjoja njerëz që bërtisnin. Ishte e tmerrshme”, rrëfeu ajo, duke përshkruar frikën dhe panikun që pasoi përplasjen.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, u shpreh i tronditur nga aksidenti dhe shprehu solidaritetin me viktimat dhe familjet e tyre.
Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, ai bëri të ditur se shërbimet e emergjencës po punojnë në terren për t’u ardhur në ndihmë të prekurve dhe për të garantuar sigurinë e tyre.
Edhe Mbreti Felipe VI shprehu ngushëllimet dhe mbështetjen e familjes mbretërore për të afërmit e viktimave, duke e cilësuar situatën si një moment jashtëzakonisht të vështirë.




