Kapshticë/ Zbulohen 6 klandestinë në një kamion, kishin ardhur nga Turqia

Gjashtë shtetas të huaj janë zbuluar të fshehur në pjesën e pasme të një kamioni në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, teksa tentonin të kalonin drejt vendit tone.
Sipas njoftimit të Administratës Doganore, gjatë verifikimit me skaner të pjesës së pasme të trajlerit, punonjësit evidentuan silueta të dyshimta. Kjo bëri që automjeti t’i nënshtrohej një kontrolli fizik nga shërbimet doganore, në bashkëpunim me Policinë Kufitare.
Gjatë kontrollit u zbuluan gjashtë persona të fshehur në hapësirën e ngarkesës së kamionit. Pesë prej tyre deklaruan se ishin nga Sudani, ndërsa një nga Kuvajti. Dy prej personave thanë se nuk kishin me vete dokumente identifikimi.
Sipas deklarimeve paraprake, gjashtë shtetasit e huaj kishin hipur në kamion në Turqi dhe synonin të udhëtonin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.




