Dy ikona, një karrierë e madhe/ Thiago Silva zbulon ndikimin e Maldinit dhe Nestës: Më ndryshuan mentalitetin

Thiago Silva ka kujtuar periudhën e tij te Milani dhe ndikimin e jashtëzakonshëm që patën Paolo Maldini dhe Alessandro Nesta në karrierën e tij. Mbrojtësi brazilian zbuloi se takimi me legjendën italiane i ndryshoi mënyrën e të menduarit, duke e frymëzuar të kujdesej edhe më shumë për veten për të luajtur në nivele të larta për shumë vite.
Silva iu bashkua Milanit në vitin 2009, kur ishte vetëm 24 vjeç. Në atë periudhë, Maldini ishte në fundin e karrierës së tij, por vazhdonte të ishte një shembull i jashtëzakonshëm për sa i përket profesionalizmit dhe jetëgjatësisë në futboll.
“Takimi me Maldinin ndezi diçka brenda meje. Isha 24 vjeç kur mbërrita te Milani dhe, kur e shikoja, mendoja se mënyra se si kujdesesha për veten, fakti që nuk pija alkool, nuk pija duhan dhe nuk sakrifikoja gjumin, mund të më ndihmonte të arrija moshën që kishte ai”, ka treguar braziliani.
Më pas, Silva bëri një sqarim domethënës, duke nënvizuar se synimi i tij ishte të ndiqte shembullin e Maldinit për jetëgjatësinë sportive, jo të pretendonte se mund të arrinte nivelin e tij.
“E kam fjalën për moshën, sigurisht, jo për nivelin e paraqitjeve. Ka vetëm një Maldini”, u shpreh ai.
Nesta, mësuesi i tij në stërvitje
Përveç Maldinit, një rol të rëndësishëm në zhvillimin e Thiago Silvës luajti edhe Alessandro Nesta. Braziliani e kujton ish-mbrojtësin italian si një mentor, nga i cili mësoi shumë për pozicionimin dhe leximin e lojës.
“Ai më ndryshoi mentalitetin. Por jo vetëm Maldini, edhe Alessandro Nesta. Nesta ishte një mësues për mua në stërvitje. Ai sapo ishte kthyer nga një operacion dhe e kishte pak të vështirë, ndërsa unë mund të vrapoja dhe ta ndihmoja. Ai më tregonte ku duhej të shkoja dhe unë e ndiqja udhëzimin e tij”, rrëfeu Silva.
Mbrojtësi brazilian theksoi se e admironte mënyrën e të stërviturit, sjelljen dhe cilësitë e Nestës, duke kuptuar që të luante përkrah tij ishte një mundësi e madhe për t’u përmirësuar.
Një periudhë që la gjurmë në karrierën e brazilianit
Milani i dha Thiago Silvës mundësinë të stërvitej dhe të luante përkrah disa prej mbrojtësve më të mëdhenj të futbollit italian. Më vonë, ai u shndërrua vetë në një nga qendërmbrojtësit më të vlerësuar të brezit të tij, duke luajtur për klube si Paris Saint-Germain dhe Chelsea, me të cilin fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2021.
Rrëfimi i tij dëshmon se përtej talentit dhe aftësive në fushë, profesionalizmi, disiplina dhe mundësia për të mësuar nga legjendat mund të kenë një ndikim vendimtar në karrierën e një futbollisti.




