Skandali para ceremonisë së “Topit të Artë”, babai i Lamine Yamal akuzohet se pështyu një kameriere në aeroport

Babai i yllit të Barcelonës, Lamine Yamal, është përfshirë në një incident të rëndë në aeroportin e Barcelonës, pak para udhëtimit drejt Londrës për ceremoninë e “Topit të Artë”. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, Mounir Nasraoui akuzohet se ka pështyrë në fytyrë një punonjëse të një kafeneje, ndërsa situata dyshohet se ka degjeneruar më pas edhe në përplasje fizike.
Një debat për një xhaketë, më pas ndërhyri policia
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, konflikti nisi në një kafene të aeroportit El Prat, pasi një punonjëse i kërkoi Nasraouit të largonte xhaketën që kishte vendosur në një hapësirë ku kjo nuk lejohej.
Diskutimi dyshohet se u përshkallëzua, me babanë e futbollistit që sipas dëshmive të cituara nga mediat, e pështyu punonjësen në fytyrë. Më pas, një klient tjetër ndërhyri për të qetësuar situatën, por Nasraoui dyshohet se e goditi dhe kërcënoi ta sulmonte me një karrige. Përplasja bëri që në vendngjarje të ndërhynte Garda Civile spanjolle.
Pavarësisht incidentit të raportuar, Nasraoui arriti të udhëtonte drejt Londrës për të marrë pjesë në ceremoninë e “Topit të Artë”.
Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e mediave sportive, pasi ndodhi pak para ceremonisë ku Lamine Yamal ishte ndër emrat e diskutuar për çmimin prestigjioz individual.




