Protestat/ OSBE: Duhet dialog! Tarran: Aktet e dhunës të papajtueshme me parimet e një shteti demokratik

Zhvillimet e fundit të tensionuara në vend dhe reagimi i forcave të rendit ndaj protestave kanë marrë vëmendjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Nga Elbasani, ku ishte i pranishëm në tryezën e diskutimit “Demokracia Vendore”, Ambasadori Michel Tarran theksoi domosdoshmërinë e hapjes së kanaleve të komunikimit mes pushtetit dhe shoqërisë.
“Nisur nga rrethanat aktuale, lind pyetja nëse është momenti i duhur për këtë forum, por ne jemi këtu pikërisht për të ndërtuar ura dialogu. Ajo që kam vënë re muajt e fundit është një deficit komunikimi, ku mendimi i qytetarëve është anashkaluar. Qytetarët duhet të ndiejnë mbështetje. Prania ime këtu synon t’u bëjë të qartë të gjithëve, e sidomos të rinjve, se demokracia nuk është një akt që konsumohet vetëm një herë në katër vjet te kutitë e votimit, por një mundësi e përditshme për të ndikuar në vendimmarrje”, deklaroi ambasadori.
Lidhur me përplasjet e dhunshme të ditëve të fundit në kryeqytet, ku ndaj studentëve protestues u përdorën gaz lotsjellës dhe plumba gome, Tarran u shpreh kritik ndaj përshkallëzimit të situatës.
“Jam i mendimit se aktet e dhunshme mbeten të papajtueshme me parimet e një shteti demokratik. Shprehim keqardhjen e thellë për serinë e incidenteve të dhunshme që kanë përfshirë Tiranën gjatë javëve të fundit”, tha ambasadori.
Drejtuesi i misionit të OSBE-së theksoi se stabilizimi i situatës kërkon braktisjen e gjuhës së forcës dhe rikthimin e menjëhershëm të palëve në tryezën e dialogut institucional.




