Genoa – Juventus/ Spalleti thërret Arman Durmisin me ekipin e parë

Një moment i veçantë për talentin shqiptar Arman Durmisi.
Sulmuesi 18-vjeçar është grumbulluar për herë të parë me ekipin e parë të Juventusit nga trajneri Luciano Spalletti, për transfertën ndaj Genoas, e vlefshme për javën e nëntë të Serie A.
Futbollisti shqiptar, i lindur në vitin 2008, është përfshirë në listën e të grumbulluarve për sfidën që Juventusi do të luajë këtë mbrëmje në stadiumin “Luigi Ferraris”, ora 20:45.
Durmiši po kërkon të fitojë gjithnjë e më shumë hapësira te bardhezinjtë, ndërsa deri më tani ka spikatur me paraqitjet e tij në skuadrën Juventus U-23. Sipas raportimeve, sulmuesi ka realizuar tre gola në këtë sezon, duke tërhequr vëmendjen e stafit teknik.
Përfshirja e Durmisit në listën e ekipit të parë vjen në një moment kur Juventusi po përballet me disa mungesa të rëndësishme. Për këtë arsye, Spalletti ka vendosur të përfshijë në skuadër edhe dy talente të tjerë të rinj, Augusto Owusu dhe Filippo Pagnucco.
Për sulmuesin shqiptar, kjo është një mundësi e rëndësishme për të qenë pranë futbollistëve të ekipit të parë dhe për të fituar përvojë në një nivel më të lartë të futbollit italian.
Megjithatë, grumbullimi nuk do të thotë automatikisht se Durmisi do të aktivizohet në ndeshje. Gjithçka do të varet nga vendimet e trajnerit gjatë sfidës ndaj Genoas.
Një hap i rëndësishëm për talentin shqiptar, i cili tashmë sheh më pranë ëndrrën për të debutuar me ekipin e parë të një prej klubeve më të mëdha të futbollit italian.




