“Paketa Fiskale, buxhet që më shumë merr sesa jep”, Spaho: 130 milionë euro më shumë nga taksat e shqiptarëve

Paketa Fiskale 2027 pritet të sjellë ndryshime në çmimet e produkteve, shërbimeve dhe taksave që paguajnë qytetarët dhe bizneset.
Eksperti i ekonomisë Mateo Spaho, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, analizoi ndikimin e këtyre masave në buxhetin e familjeve shqiptare.
Ai theksoi se ulja e TVSH-së për 54 produkte të shportës mund të sjellë përfitime për shtresat në nevojë, ndërsa rritja e taksimit për produkte dhe shërbime të tjera mund të kompensojë një pjesë të këtij efekti.
Sipas Spahos, paketa e re fiskale është një buxhet që më shumë merr sesa jep, ndërsa sfidë mbetet mënyra se si do të përdoren paratë e mbledhura nga qytetarët dhe bizneset.
INTERVISTA E PLOTË:
Si pritet, si mendohet, si mund të ndikojë paketa e re fiskale në koston e një familjeje normale në Shqipëri?
Mateo Spaho: Normalisht buxheti i shtetit ka një veçanti, pra kërkon të spostojë shuma të ndryshme parash nga disa kategori në kategori të tjera individësh. Konkretisht, një nga masat që është propaganduar në fakt dhe kërkuar nga i gjithë parlamenti ka qenë ulja e tatimit mbi vlerën e shtuar mbi produktet e shportës. Pra janë rreth 54 produkte të cilat tatohen sot me 20% dhe parashikohet që ky tatim të ulet në nivelin 6% dhe me idenë që ky 14% më pak të përkthehet në një ulje të çmimeve të produkteve të shportës dhe në një rritje të fuqisë blerëse të familjeve shqiptare. Por nga ana tjetër, për produktet e tjera parashikohet një rritje e tatimit të vlerës së shtuar nga 20 në 21% si një mënyrë indirekte kompensimi. Pra, natyrisht, nëse ju jeni pensionist ose shtresë e ulët do të keni një përfitim neto. Nëse jeni shtresë e mesme, ulja e TVSH-së në këto produkte do të kompensohet me rritjen e TVSH-së në produkte të tjera, sepse edhe vetë në buxhetin e shtetit parashikohet për këto 54 produkte që shteti të marrë më pak rreth 130 milionë euro, por të kompensojë duke marrë 110 milionë euro nga rritja e përgjithshme e produkteve të tjera me TVSH-në nga 20 në 21%.
Në sferën e pagave atëherë, se sigurisht buxheti i familjeve varet nga pagat, si ndikon kjo paketë fiskale duke parasysh pikërisht ato ndryshimet që janë propozuar për disa segmente të pagesave?
Mateo Spaho: Atëherë problematikat janë këto. Ne kemi shumë biznese në Shqipëri, janë rreth 18.000 biznese që deri më sot nuk paguanin tatimin mbi vlerën e shtuar, pra ato që kanë xhiro nga 5 milionë deri në 10 milionë lekë të reja në vit, tani do duhet ta paguajnë. Dhe ky 20% shtesë nënkupton që një pjesë e këtij çmimi do të përfundojë natyrisht edhe tek rritja e çmimeve nga ato që janë dyqanet e vogla dhe nga ato që janë profesionistët që emitojnë fatura. Pra nga një anë është element miks: kemi ulje çmimesh të disa produkteve, rritje për produkte të tjera dhe për shërbime të tjera. Natyrisht kemi dhe një situatë në të cilën rriten taksat për rrogat shumë të larta: rreth 1.200 persona në Shqipëri që marrin mbi 7 milionë lekë të vjetra në muaj do të goditen nga një tatim 32% për çdo lek shtesë mbi 7 milionë lekët, nuk është ndonjë problem i madh, themi kështu. Si dhe do të transferohen taksat mbi karburantin nga litri i naftës tek makina. Natyrisht këtu ka disa ndryshime, sepse në këtë sens, nëse taksa transferohet te makina, goditet kush ka makinë, jo kush e përdor më shumë rrugën. Pra nëse unë përdorja shumë naftën ose karburantin sepse më duhej shumë, e paguaja më shumë taksën, kurse tani do ta paguajnë më pak sepse do të krijohet një mesatarizim. Ndërsa ata që përdorin më pak makinën, tani fatkeqësisht do duhet që të paguajnë pak më shumë. Por në këtë sens qeveria merr të njëjtën masë që kanë marrë vendet e tjera ku taksa është mbi makinën dhe jo mbi karburantin. Ka shumë masa të tjera si rritja e tatimit mbi të ardhurat apo TVSH-së për sa i përket turizmit, edhe sepse hoteleria ka përfituar nga masa mjaft të ulëta por nuk ka treguar realitetin. Pra niveli i informalitetit ka qenë ende shumë i lartë, nga katër fjetje, vetëm një është deklaruar, tre jo. Dhe si pasojë qeveria ka vendosur të rrisë këtë tatim, dhe unë shpresoj të ketë vendosur gjithashtu që të rrisë kontrollet, sepse nuk është thjesht me rritjen e tatimit që zgjidhen problematikat, por edhe me rritjen e kontrolleve për ato pjesë të ekonomisë që kanë dashur të qëndrojnë në informalitet. Thënë kjo, duhet të themi se ky është një buxhet që më shumë merr sesa jep, sepse Ministria e Financave ka parashikuar që me anë të ndryshimit tatimor të marrë rreth 120–130 milionë euro më shumë se viti i kaluar, jo si pasojë e inflacionit, jo si pasojë e rritjes ekonomike, por të rritjes së nivelit të taksave në përgjithësi.
Dhe në doktrinën ekonomike, çfarë është kjo? Si quhet kjo? Është spekulim, është një e drejtë e qeverisë të marrë më shumë e të japë më pak siç po thoni ju?
Mateo Spaho: Normalisht kur një qeveri merr më shumë duhet t’i japë më shumë dhe anasjelltas. Është thënë që këtë vit buxheti do të jetë 10 miliardë euro, shumë mirë, por mos harrojmë që këto 10 miliardë euro do të merren nga xhepat e shqiptarëve, qofshin këta qytetarë, qofshin këto biznese. Pra çështja është me cilën cilësi dhe me cilin nivel ndershmërie e vizioni i përdorim këto para. Mos harroni që sa më shumë rritet buxheti i shtetit, aq më shumë rritet edhe kapaciteti ose mundësia për të abuzuar me këto, dhe anasjelltas. Pra sa më shumë rritet buxheti, rritet dhe mundësia që këto të mirëpërdoren dhe të jenë domethënëse në rritjen ekonomike të vendit. Por mos harroni një gjë: paratë i shpenzojnë gjithmonë më mirë njerëzit sesa qeveritë, sepse ju, unë dhe të gjithë ne e dimë më mirë se ku na pikon çatia, se çfarëdolloj kryeministri sado i mirë dhe i ndershëm të jetë.
/vizionplus.tv




