E enjte, 29 Tetor 2026 Takohemi N'vizion deri në 18:00 Në vijim ora 18:00: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Ekonomi

Rritja e TVSH në hoteleri – turizëm, bizneset në Korçë thonë se mund të pasohet me çmime më të larta

Rritja e taksave në paketën e re fiskale, sipas përfaqësuesve të bizneseve të vogla dhe të mesme, do të rëndojë bizneset e hoteleri-turizmit, një sektor i rëndësishëm për ekonominë e Korçës.

Bujar Muço, nënkryetar i kësaj shoqate, thotë se këto ndryshime do të rrisin kostot e bizneseve dhe mund të sjellin shtrenjtim të shërbimeve për turistët.

Reklamë

“Ka një dëmtim goxha të madh, sidomos në biznesin e vogël dhe të mesëm, ku klasifikohet edhe hoteleri-turizmi. Meqenëse jemi në qytetin juglindor të Shqipërisë, në Korçë, ku një nga prioritetet kryesore ka qenë turizmi, kjo është një goditje e drejtpërdrejtë për këtë aktivitet biznesi. TVSH-ja, e cila ka qenë 6%, do të bëhet 10%. Rritet tatimi mbi dividendin nga 8% në 15%, ndërsa tatimi mbi fitimin nga 15% bëhet 17%.”, shprehet Bujar Muço, nënkryetar i Shoqataës së Biznesit të Vogël e të Mesëm.

Muço kritikon mungesën e konsultimeve me grupet e interesit përpara ndryshimeve fiskale.

Reklamë

“Qeveria duhet të konsultohet me grupet e interesit, por kjo nuk ka ndodhur. Kjo më habit, sepse është një masë që merret në një kohë kur situata ekonomike nuk është e mirë. Strukturat nuk i kemi të mbushura gjashtë apo shtatë ditë në javë, por vetëm dy ditë. Me rritjen e kostove, pronarët do të detyrohen të rrisin çmimet dhe, si rrjedhojë, do të ulet konsumi e do të ketë më pak turistë. Prandaj, besoj se qeveria është ende në kohë për t’i rishikuar këto masa.”

Bizneset e hoteleri-turizmit kërkojnë që ndryshimet fiskale të marrin në konsideratë realitetin ekonomik të sektorit dhe vështirësitë me të cilat përballen në Korçë. Sipas paralajmërimit të përfaqësuesve të biznesit, rritja e kostove mund të ndikojë jo vetëm te çmimet për vizitorët, por edhe te konkurrueshmëria e strukturave akomoduese dhe zhvillimi i turizmit në juglindje të vendit.

/vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.