Buxheti 2027/ Malaj: 907.9 miliardë lekë të ardhura, dyfishim i bonusit të pensionistëve dhe mbështetje për familjet! Inflacioni njësoj si në vendet e BE

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat projektbuxhetin e vitit 2027 dhe paketën fiskale.
Gjatë prezantimit, Malaj bëri një pasqyrë të treguesve ekonomikë për vitin 2026, duke u ndalur te rritja ekonomike, punësimi, pagat dhe inflacioni. Ai deklaroi se për vitin 2026 qeveria parashikon një rritje reale të ekonomisë prej rreth 4%.
Sa i përket projektbuxhetit të vitit 2027, ministri bëri të ditur se të ardhurat buxhetore parashikohen në 907.9 miliardë lekë, ndërsa theksoi se prioritet do të vijojnë të jenë pensionet, mbrojtja sociale, arsimi, shëndetësia, siguria dhe bujqësia.
Malaj njoftoi gjithashtu indeksimin e pensioneve në prill 2027, dyfishimin e vlerës së bonusit mujor për pensionistët dhe rritjen e mbështetjes për fëmijët deri në moshën 5 vjeç.
“Rritja ekonomike gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 ishte 3.6% në terma vjetorë, duke pasqyruar rritje në të gjithë sektorët e ekonomisë. Turizmi vijon të jetë një nga motorët kryesorë të ekonomisë shqiptare. Për vitin 2026 ne parashikojmë një rritje reale prej rreth 4% të ekonomisë.
Shkalla e papunësisë në tremujorin e dytë të këtij viti shënoi normën 3.8% dhe pjesëmarrja në forcat e punës është rritur më tej, duke arritur në masën 76%. Këta tregues dëshmojnë se ekonomia po krijon më shumë mundësi punësimi.
Paga mesatare në rang vendi në tremujorin e dytë të këtij viti ka arritur në 967 euro ose 9.8% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2025.
Inflacioni për periudhën janar-shtator llogaritet në nivelin 2.9%, brenda kufijve që janë përcaktuar nga Banka e Shqipërisë dhe më i ulët se inflacioni në vendet e Ballkanit Perëndimor. Inflacioni në Shqipëri është në të njëjtin nivel me inflacionin në vendet e Bashkimit Evropian.
Sa i takon të ardhurave, të ardhurat buxhetore për vitin 2027 parashikohen në masën e 907.9 miliardë lekë ose rreth 9.4 miliardë euro. Ndërsa në vitin 2026 ne parashikojmë të ardhurat buxhetore në masën e 843.1 miliardë lekëve.
Projektbuxheti 2027 është rrjedhojë e angazhimit të qeverisë për më shumë mirëqenie dhe në përmbushje të vizionit të Shqipërisë 2030 për në BE.
Një nga prioritetet kryesore të qeverisë do të vijojë të jetë mbështetja për moshën e tretë. Pensionet zënë një vend të veçantë. Parashikohet indeksimi i pensioneve në muajin prill 2027, një politikë e cila kërkon një fond shtesë nga buxheti të parashikuar në masën 1.35 miliardë lekë. Pra, në total kostoja e indeksimit, plus afrimi në kohë i këtij indeksimi, i kushton buxhetit të shtetit 40 milionë euro.
Gjithashtu do të kemi dyfishim të vlerës së bonusit mujor sipas kategorive që janë përcaktuar. Duke filluar nga 1 janari 2027, me një kosto të parashikuar prej 20 miliardë lekësh.
Krahas pensioneve, buxheti forcon edhe politikat e mbrojtjes sociale. Do të vijojmë me bonusin e bebeve, por këtë herë përmes mbështetjes mujore deri në moshën 5 vjeç, ku vlera do të rritet për fëmijën e parë, të dytë dhe të tretë.
Janë 1.3 miliardë lekë në vit për strehimin social dhe strehimin e përballueshëm. Këto masa shprehin drejtimin social të projektbuxhetit 2027.
Arsimi do të vijojë të jetë një investim i drejtpërdrejtë i kësaj qeverie. Projektbuxheti parashikon që shpenzimet të arrijnë në 93.6 miliardë lekë.
Shëndetësia mbetet një tjetër prioritet. Për vitin 2027 shpenzimet për sektorin e shëndetësisë parashikohen në masën e 87.2 miliardë lekëve.
Siguria dhe rendi mbeten një tjetër pjesë e rëndësishme e prioriteteve të kësaj qeverie. Financimi për sigurinë dhe rendin parashikohet në masën 36.7 miliardë lekë, ku 3.3 miliardë lekë shtesë shkojnë për pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Rritja e pagave është pjesë e angazhimit për të mbështetur punonjësit e policisë.
Bujqësia vijon të mbetet një sektor i rëndësishëm. Buxheti parashikohet në masën e 17.9 miliardë lekëve”, deklaroi Malaj.




