E hënë, 19 Tetor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

VIDEO/ Policia hyn me forcë në selinë e opozitës në Turqi, gaz lotsjellës dhe tensione në Ankara pas shkarkimit të kreut të CHP-së

Policia turke ka përdorur gaz lotsjellës dhe ka hyrë me forcë në selinë qendrore të Partisë Popullore Republikane (CHP), partisë më të madhe opozitare në Turqi, për të larguar drejtuesit e shkarkuar të saj.

Ngjarja e ndodhur ka thelluar krizën politike dhe ka ngritur shqetësime për gjendjen e demokracisë në vend.

Reklamë

Pamjet nga Ankaraja treguan re të dendura gazi lotsjellës brenda godinës së CHP-së, ndërsa mbështetësit e partisë bërtisnin dhe hidhnin objekte drejt hyrjes për të penguar policinë, e cila theu barrikadat e improvizuara. Deri tani nuk raportohet për të lënduar.

Kriza nisi pasi një gjykatë turke shkarkoi të enjten kreun e CHP-së, Ozgur Ozel, duke anuluar rezultatet e kongresit të vitit 2023 ku ai ishte zgjedhur kryetar, me argumentin se kishte parregullsi gjatë procesit. Në vend të tij u rikthye ish-kryetari Kemal Kilicdaroglu, i cili humbi zgjedhjet presidenciale ndaj Recep Tayyip Erdogan po atë vit.

Reklamë

Guvernatori i Ankarasë urdhëroi të dielën evakuimin e selisë së partisë, ndërsa Ozel e cilësoi vendimin e gjykatës si një “grusht shteti gjyqësor”.

“Jemi nën sulm”, deklaroi Ozel në një video të publikuar në rrjetin social X, pak para ndërhyrjes së policisë. Pas daljes nga godina, ai iu drejtua mbështetësve duke thënë se “CHP tashmë është në rrugë dhe po marshon drejt pushtetit”.

Më pas, qindra mbështetës të opozitës marshuan drejt parlamentit turk, të shoqëruar nga forca të shumta policore. Drejtuesit e shkarkuar të CHP-së kanë bërë thirrje për protesta edhe në Stamboll.

Vazhdo të lexosh

Reklamë