Email kërcënuese në institucionet shtetërore, policia: Adresa i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite

“Në ndërtesë është vendosur një mjet shpërthyes që përmban nitrat amoni. Sot, me lejen e Allahut, do të kryejmë një seri sulmesh terroriste të planifikuara në territorin e vendit. Ajo që do të përjetoni spt është vetëm fillimi. Një ditë, qeveria juaj do të dorëzojë pushtetin dhe do të vendoset Sheriati”. Ky ishte emaili që mbërriti në disa institucione shtetërore, prokurori, gjykata dhe Kryesinë e Kuvendit.
Policia e Shtetit, në një reagim për mediat bën me dije se email është dërguar nga një adresë arsimore në Arabinë Saudite.
Strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë verifikimet dhe veprimet e nevojshme hetimore për të përcaktuar origjinën dhe autenticitetin e mesazhit, për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit, si dhe për të identifikuar personat përgjegjës për dërgimin e tij.
Policia e Shtetit:
Policia e Shtetit informon se ditën e sotme është evidentuar një mesazh elektronik (email), i dërguar në disa adresa institucionesh, i cili përmban kërcënime për vendosjen e lëndëve shpërthyese dhe kryerjen e akteve terroriste.
Nga verifikimet paraprake rezulton se mesazhi është dërguar nga një adresë elektronike që i përket një institucioni arsimor në Arabinë Saudite.
Mënyra e dërgimit të këtij mesazhi paraqet ngjashmëri me raste të mëparshme, kur mesazhe të ngjashme kërcënuese janë dërguar nga adresa elektronike të komprometuara, që u përkisnin studentëve të institucioneve arsimore jashtë vendit.
Strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë verifikimet dhe veprimet e nevojshme hetimore për të përcaktuar origjinën dhe autenticitetin e mesazhit, për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit, si dhe për të identifikuar personat përgjegjës për dërgimin e tij.




