Macron “sfidon” protestuesit, refuzon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, në mes të kaosit niset drejt Gjirit Persik

Franca po përballet me një krizë të rëndë sociale dhe politike pas protestave masive të së shtunës, më 17 tetor, të cilat u shoqëruan me përplasje të dhunshme, zjarrvënie, grabitje dhe dëmtime të shumta të pronës publike e private.
Pakënaqësia për rritjen e kostos së jetesës dhe çmimet e karburanteve ka nxitur mobilizime në disa prej qyteteve kryesore të vendit, ndërsa qeveria po përballet me kritika të forta për mënyrën se si menaxhoi situatën e sigurisë.
Kriza ka shkaktuar tensione edhe brenda ekzekutivit. Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, ka paraqitur dorëheqjen, por presidenti Emmanuel Macron ka refuzuar ta pranojë atë, duke argumentuar se në kushtet aktuale është e nevojshme vazhdimësia në drejtimin e forcave të sigurisë.
Sipas njoftimit të Presidencës franceze, Macron i ka kërkuar ministrit të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar transparencë të plotë mbi dështimet e mundshme të strukturave përgjegjëse, si dhe të zbatojë metoda të reja operacionale për të përballuar më efektivisht kriza të ngjashme.
Sipas të dhënave të përditësuara të Ministrisë së Brendshme franceze, gjatë protestave janë arrestuar 2,397 persona, ndërsa 997 policë dhe efektivë të xhandarmërisë janë plagosur, shtatë prej tyre në gjendje të rëndë.
Protestat, ku morën pjesë qindra mijëra qytetarë, u shoqëruan me incidente në Paris, Marsejë, Lion, Bordo dhe Limoges. Përveç përplasjeve me forcat e rendit, u raportuan djegie automjetesh, grabitje dyqanesh dhe dëmtime të ndërtesave publike.
Një nga situatat më të rënda u regjistrua në Limoges, ku bashkia historike u përfshi nga flakët pas një sulmi nga një grup personash të maskuar. Në Marsejë dhe Lilë u sulmuan ndërtesa bashkiake, ndërsa në Bordo u vandalizua banesa e prefektit të Girondës.
Në Paris, grupe protestuesish dhe personash të përfshirë në akte dhune lëvizën në disa zona të kryeqytetit, duke shkaktuar dëme dhe duke grabitur biznese. Shqetësim të veçantë shkaktoi afrimi i disa grupeve pranë zonës së pallatit presidencial, Elize, çka ngriti pikëpyetje mbi efektivitetin e planifikimit të masave të sigurisë.
Shtrirja gjeografike dhe shpejtësia e incidenteve duket se kanë vënë në vështirësi autoritetet. Grupet e përfshira në përplasje lëviznin vazhdimisht nga një zonë në tjetrën, duke u përballur me policinë dhe më pas duke u shpërndarë në rrugë të ndryshme, gjë që e vështirësoi ndërhyrjen e forcave të rendit.
Pas incidenteve, ministri Laurent Nunez është përballur me kritika nga opozita dhe drejtuesit vendorë të qyteteve më të prekura. Politikanë nga krahë të ndryshëm kanë kërkuar shpjegime për mënyrën se si grupet e përfshira në akte dhune arritën të vepronin për orë të tëra.
Marine Tondelier, kandidate e të Gjelbërve për presidencën, kërkoi dorëheqjen e ministrit, duke e akuzuar se kishte nënvlerësuar përmasat e krizës.
Edhe ish-presidenti François Hollande deklaroi se shteti nuk kishte arritur të garantonte rendin publik në të gjithë territorin.
Nga ana e tij, Nunez hodhi poshtë akuzat për mungesë përgatitjeje. Ai argumentoi se forcat e sigurisë u përballën me një mobilizim masiv të grupeve që, sipas tij, kishin si synim vandalizmin dhe grabitjet, duke përdorur taktika të befasishme dhe duke u shpërndarë me shpejtësi në zona të ndryshme.
Macron: Zemërim dhe turp, përgjegjësit do të paguajnë
Presidenti Emmanuel Macron dënoi ashpër dhunën, duke ia atribuar përshkallëzimin e saj grupeve të ekstremit të majtë dhe elementëve kriminalë.
“Të gjithë ndiejmë zemërim dhe turp”, deklaroi Macron në një mesazh drejtuar qytetarëve, duke iu referuar skenave të grabitjeve dhe zjarrvënieve në qytetet franceze.
“Dyqanet u grabitën, ndërtesat publike dhe bashkitë u sulmuan. Duke parë këto pamje, të gjithë pyetëm veten se si francezët mund t’ia bëjnë këtë Francës”, u shpreh ai.
Kreu i shtetit paralajmëroi se personat përgjegjës për shkatërrimet do të përballen me drejtësinë.
“Ata që shkatërruan duhet të paguajnë. Ata që grabitën duhet të dëmshpërblejnë. Ata që synuan të godasin demokracinë do të japin llogari”, theksoi Macron.
Presidenti kërkoi gjithashtu që qeveria të nxjerrë mësimet e nevojshme nga kriza, veçanërisht në lidhje me mbledhjen e informacionit dhe parandalimin e akteve të dhunshme.
Megjithatë, ai u përpoq të bënte dallimin mes protestuesve paqësorë dhe personave që morën pjesë në akte vandalizmi. Macron pranoi se pakënaqësia për koston e jetesës, rritjen e çmimeve të karburanteve dhe kushtet në arsim është reale dhe kërkon përgjigje politike.
Ai u ndal veçanërisht te të rinjtë që janë mobilizuar javët e fundit në shkolla dhe universitete, duke theksuar se shqetësimet e tyre për studimet, mundësitë e punësimit dhe të ardhmen duhet të dëgjohen.
“Përgjegjësia jonë është e dyfishtë, të dëgjojmë zemërimin dhe të trajtojmë shkaqet e tij të thella, duke mbështetur njëkohësisht me vendosmëri shtetin e së drejtës”, u shpreh presidenti francez.
Në përfundim, Macron u bëri thirrje qytetarëve për unitet dhe qetësi përpara zgjedhjeve presidenciale, që priten pas rreth gjashtë muajsh.
“Vendi ka nevojë për rend dhe qetësi, jo për përshkallëzim”, deklaroi ai, duke theksuar se dialogu nuk duhet të interpretohet si dobësi apo tolerim i pandëshkueshmërisë.
Macron niset drejt Gjirit Persik për marrëveshje energjetike
Në mes të krizës së brendshme, Macron pritet të zhvillojë një vizitë treditore në katër vende të Gjirit Persik, Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrein dhe Katar, deri më 21 tetor.
Qëllimi i vizitës është sigurimi i furnizimeve me naftë, me synimin për të lehtësuar presionin mbi tregun francez të energjisë dhe për të frenuar rritjen e çmimeve në pikat e karburantit.
Sipas raportimit, furnizimet me hidrokarbure nga rajoni janë ndikuar nga bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, pas nisjes së krizës mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në shkurt, si dhe nga tensionet në zonën e Ngushticës së Bab el-Mandeb, ku janë përfshirë forcat në Jemen dhe rebelët Huthi të mbështetur nga Irani.
Franca po përballet njëkohësisht me presionin e trazirave të brendshme, kritikat ndaj institucioneve të sigurisë dhe sfidat ekonomike që lidhen me çmimet e energjisë.




