Sulmi ndaj selisë së PS, Koçi: E mirëmenduar! Nëse qeveria bie me dhunë, kjo do të kthehet në precedent

Ish-zyrtari i lartë socialist Petro Koçi, në një lidhje me edicionin maratonë të lajmeve në Vizion Plus, të moderuar nga Roland Zili, ka komentuar sulmin ndaj selisë së PS-së.
Ai tha se ky është një sulm i mirëmenduar, duke goditur selinë e forcës politike që qeveris vendin.
Sipas tij, nëse do të arrihet marrja e pushtetit me dhunë, kjo mund të kthehet në precedent në të ardhmen.
Pjesë nga biseda:
Zili: Si e komentoni sulmin ndaj selisë së PS-së?
Koçi: Ngjarje e mirëmenduar, sulmohet simbolika. Jemi në një situatë krize. Padyshim, nga pikëpamja e konsideratës politike, ligjore dhe kushtetuese, është përpjekje për të arritur qëllimet politike me dhunë. Është një akt antikushtetues. Nëse do ta arrijë qëllimin e vet, krijon precedent të rrezikshëm në të ardhmen, krijon burim destabiliteti. Nga ana tjetër, kemi një situatë në qeverisje që ka probleme të shumta. Ka një perceptim se korrupsioni është në nivele të larta.
Zili: Ka perceptim apo është?
Koçi: Sigurisht që është. Por perceptimi ka krijuar arsyen për të krijuar këto revolta. Nuk është vetëm korrupsioni, por edhe gjykimi se nuk ka vullnet të plotë për t’i dorëzuar personat e përfshirë në korrupsion. Pika tjetër është përqendrimi i pushtetit në pak duar, që nuk lejon frymëmarrje.
Nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë se edhe demokracia në PS është në nivelet zero, sepse kjo nuk është çështje e brendshme e një partie politike, por ka lidhje me perceptimin e përgjithshëm. Të gjitha këto shoqërohen edhe me arrogancë, mospërfillje të zërave apo etnive popullore, sidomos në rastin e protestave të flamingove, që për mua ishte rasti ideal për Ramën të reflektonte për disa çështje themelore.
Ne kemi një Kushtetutë ku parlamenti nuk e kontrollon qeverinë. Të gjitha këto janë situata që kërkojnë si perceptimin, ashtu edhe zgjidhjen. Në radhë të parë, rrëzimin e ndryshimeve kushtetuese që e kthyen Shqipërinë nga republikë parlamentare në republikë kryeministrore. Në atë kohë e donte Sali Berisha, por Rama në këtë moment nuk ka nevojë për fuqi kushtetuese për të kontrolluar parlamentin. Duhet të deklarojë konkretisht se, në çdo rast kur drejtësia kërkon persona me pushtet, duhet të zbatohet një standard i kërkuar.




