Prej verës së 2019-ës deri në këtë 6 mars, gjashtë kryetarë bashkish, të gjithë socialistë, humbën mandatin e tyre për arsye të ligjit të dekriminalizimit, arrestimit nga SPAK dhe largimit nga jeta në mënyrë të parakohshme.

I pari që humbi mandatin ishte Valdrin Pjetri në Shkodër. Pas fitores në vendoret e qershorit të 2019, ai nuk u ul për asnjë ditë në karrigen e kryebashkiakut.

Më pak se dy muaj pasi rezultoi fitues i zgjedhjeve të cilat u bojkotuan nga opozita, ai dha dorëheqjen. Valdrin Pjetri ishte subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Në Itali rezultoi i dënuar me burg për veprën penale të shpërndarjes së drogës.

Për pasojë demokratja Voltana Ademi, në një rast të paprecedentë, me mandat të përfunduar kushtetues drejtoi bashkinë më të madhe në veri të vendit prej me pak se tre vitesh.

Pas tre muajve, sërish një denoncim i Partisë Demokratike, çoi në shkarkimin e Agim Kajmakut  nga kryetari i bashkisë Vorë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ish-kryebashkiaku gënjeu në formularin e dekriminalizimit për dënimin në Greqi për veprën penale të falsifikimit të parave.

Pak ditë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, për shkak të një deklarate të pakujdesshme, nga karrigia e kryebashkiakes së Durrësit largohet Valbona Sako.

Dy vite më pas në korrikun e 2021, pasi socialistët fituan mandatin e tretë qeverisës, Lushnja mbetet pa kryetar. Fatos Tushe arrestohet nga SPAK. Ai është ende nën hetim për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Dy kryetarët të cilët lanë mandatin e tyre jo se kishin probleme me ligjin janë ai i Rrogozhinës dhe Dibrës.

Haxhi Memolla u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme pas një infarkti në zemër, ndërsa Dionis Ymeraj dha dorëheqjen pasi kandidioi për deputet por që nuk fitoi në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit për qarkun Dibër.

Me përjashtim të Shkodrës, që kryebashkiake mbeti Voltana Ademi e Partisë Demokratike që nuk garoi në zgjedhjet lokale të 30 qershorit të 2019-ës, në të pesë bashkitë e tjera u vendosën kryebashkiakë të komanduar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *