Fluksi i lëvizjeve vijon të mbetet i lartë në dy pikat kryesore kufitare të juglindjes së vendit, Kapshticë dhe Qafë Thanë, ndërsa emigrantët vazhdojnë të mbërrijnë në Shqipëri për të kaluar pushimet verore pranë familjeve të tyre.
Për të përballuar numrin e lartë të udhëtarëve, në Pikën Kufitare të Kapshticës po punohet me 7 sportele në hyrje dhe dalje, ndërsa në Pikën Kufitare të Qafë Thanës janë në funksion 5 sportele në hyrje, me qëllim përpunimin sa më të shpejtë të qytetarëve dhe shmangien e vonesave.
Gjatë 24 orëve të fundit, në Kapshticë janë regjistruar 5.250 shtetas në hyrje dhe 4.604 shtetas në dalje, si dhe 1.407 mjete në hyrje e 1.458 mjete në dalje.
Ndërkohë, në Pikën Kufitare të Qafë Thanës kanë hyrë 5.061 shtetas dhe kanë dalë 4.362 shtetas, ndërsa janë përpunuar 1.845 mjete në hyrje dhe 1.764 mjete në dalje.
Sipas autoriteteve kufitare, sportelet do të vijojnë të funksionojnë në varësi të fluksit të lëvizjeve, ndërsa janë marrë të gjitha masat për të garantuar një kalim sa më të shpejtë për emigrantët dhe udhëtarët që zgjedhin të kalojnë pushimet në vendin tonë





