Forcat Detare të Rumanisë kanë kryer një shpërthim të kontrolluar për të devijuar një sasi të madhe uji drejt Danubit të Vjetër dhe centralit bërthamor të Cernavodă, me qëllim sigurimin e ujit të nevojshëm për ftohjen e reaktorëve.
Sipas mediave rumune, në operacion u përdorën rreth 180 kilogramë eksploziv për të zhvendosur një shkëmb të madh që pengonte rrjedhën e ujit. Autoritetet e cilësuan ndërhyrjen të suksesshme, duke theksuar se ajo do të ndihmojë si funksionimin e centralit, ashtu edhe transportin ujor në lumin Danub.
Rumania ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme energjetike gjatë muajit gusht, pasi niveli rekord i ulët i ujit në Danub ka ulur prodhimin e energjisë dhe ka detyruar mbylljen e një prej reaktorëve të centralit bërthamor.
Ministri i përkohshëm i Mbrojtjes, Radu Miruță, deklaroi se, megjithëse kushtet ekstreme të motit mund të detyrojnë sërish pezullimin e përkohshëm të punës së centralit, çdo ditë shtesë funksionimi ka një vlerë shumë më të madhe sesa kostoja e operacionit me eksploziv.
/vizionplus.tv





