Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha shfrytëzoi një komunikim me gazetarët për të deklaruar se vendi është në duart e krimit. Për të mbështetur këtë deklaratë Berisha përmendi ngjarjet e dy ditëve të fundit në Sarandë e Elbasan, ndërsa akuzoi ministrin e brendshëm se mashtroi qytetarët në lidhje me arrestimin e të shumëkërkuarit Ylli Zalla.
“Një i shumëkërkuar, Ylli Zalla, i vendosin tritol në banesë dhe bën konferencë shtypi para shtëpisë së rrënuar nga tritoli. Akuzon policinë si autore e mundshme e tritolit. Lamallari mashtron qytetarët, thotë se e arrestuan, ndërkohë Zalla u dorëzua vetë. Se si mund të ketë dorëzim tjetër se sa të dalë në konferencë shtypi, vetëm mendja bosh e Lamallarit mund ta cilësojë arrestim. Ai u dorëzua”, tha kreu i PD.
Sipas Berishës për këtë situatë të krimit në vend, përgjegjësia është e Kryeministrit Edi Rama
“Kjo situatë dëshmon bashkëpunimin e shtetit me krimin, për të cilin hiq çdo ministër dhe vë çdo ministër, ai nuk ndryshon se është direkt i drejtuar nga Edi Rama”, shtoi Berisha.
Në konferencën me gazetarët; Berisha zgjodhi të flaës edhe për mazhorancën socialiste duke pretenduar se karriera politike në PS varet tashmë nga statuset kundër protestës se qytetarëve para kryeministrisë.
“Komisioni Balla është komisioni që po kontrollon statuset në mediat sociale të nomenklaturës, për të identifikuar ata, të cilët nuk kanë bërë statuse kundër lëvizjes rinore qytetare dhe flamingove pra. Viktima e parë e Komisionit Balla do jetë Niko Peleshi, i cili sipas Ballës, është treguar sylesh ndaj lëvizjes rinore qytetare dhe nuk ka statuse në mediat e tij kundër tyre. Pritet zëvendësimi i shpejtë i Peleshit me Ballën, laj e thaj, Balla i ka mbetur atij”, tha Berisha.





