Tre raste arrestimi të personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë finalizuar.
Policia njofton se një shtetas kosovar, i identifikuar si Bujar Buja 43 vjeç është arrestuar në Rias, pasi kërkohej për llogari të autoriteteve në Spanjë. Ai akuzohet për veprat penale “Trafikim të lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale”, me qëllim tregtimin e lëndëve narkotike, parashikuar nga Kodi Penal Spanjoll. Nga hetimet e zhvilluara nga Policia Gjyqësore Spanjolle është bërë i mundur identifikimi i një organizate kriminale të qëndrueshme, e cila dyshohet se merrej me trafikimin e kokainës, e vendosur kryesisht në Costa del Sol dhe me aktivitet në zona të ndryshme të territorit kombëtar.
Bujar Buja dyshohet se është implikuar në transportin e lëndës narkotike.
Po ashtu, edhe dy shqiptarë janë vënë në pranga, pasi kërkoheshin nga autoritetet shqipatre.
Aurel Hoxhallari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në prill të vitit 2018, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Vrasje me paramendim”, “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Më datë 29.01.2018, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, Tiranë, dyshohet se Aurel Hoxhallari, në bashkëpunim me një shtetas grek dhe shtetas të tjerë, të organizuar në formën e një grupi të strukturuar kriminal, kanë vrarë me armë zjarri shtetasin shqiptar D. K.
Në banesat e tyre, Policia sekuestroi 9 armë zjarri, 130 kg lëndë narkotike (kanabis), si dhe një numër të madh bimësh kanabisi.
Ndërkohë, nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Londra/Mbretëria e Bashkuar drejt vendit tonë Xhuljano Hoxha 31 vjeç, lindur në Berat.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në prill të vitit 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”, për rastin e zbuluar dhe goditur më datë 10.11.2022, në fshatin Drenovicë, qarku Berat.
Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se Xhuljano Hoxha në bashkëpunim me persona të tjerë, ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike.
Si rezultat i bashkëpunimit midis Interpol Mançester/Mbretëri e Bashkuar dhe Interpol Tiranës, u bë i mundur arrestimi dhe ekstradimi i tij në Shqipëri.





