Kreu i Partisë së Lirisë e ka cilësuar si një manorër elektorale vendimin e qeverisë për të rritur pagat.

 

Në një dalje për mediat, Meta tha se me këtë vendim rrezikohet thellimi i tejskajshëm i pabarazisë, ndërsa shtoi se kryeministri në këto kushte merr 23 herë më shumë se pensionet në qytet.

 

Edi Rama në ethet e fushatës zgjedhore, lëshoi premtimin për pagën 900 Euro si dhe miratoi një ligj për rritjen e pagave. Edi Rama pa asnjë analizë të thelluar ekonomike, pa asnjë analizë sociale, pra në mënyrë aventureske, ndërmori një hap që nuk ka asnjë lidhje me një reformë pagash, por vetëm me një manovër elektorale të radhës. Aq spekulative dhe aq elektorale ishin këto veprime, sa që në mënyrën më skandaloze, kjo rritje pagash nuk ka filluar të aplikohet pasi dhe koeficentët e llogaritjes së tyre ishin të gjithë të gabuar, ashtu siç është pranuar publikisht nga qeveria, ndonëse ligji tashmë është votuar në parlament.

 

Kjo rritje e pagave që u trumbetua nga mazhoranca për të përmirësuar mirëqenien e administratës publike, rezultoi në thellimin e një pabarazie të tejskajshme. Në qoftëse paga e Kryeministrit ishte 7 herë më e lartë se paga minimale, me këto ndryshime, ka shkuar 10 herë më e lartë se paga minimale. Në qoftë se paga e Kryeministrit ishte 13 herë më e lartë se pensioni në qytet, sot me këto ndryshime, Kryeministri merr 23 herë më shumë se pensioni mesatar në qytet.

 

Në qoftë se paga e Kryeministrit ishte 22 herë më e lartë se pensioni mesatar në fshat, sot ajo ka shkuar, 38 herë më e lartë. Në qoftë se paga e Kryeministrit ishte përpara 32 herë më e lartë se ndihma ekonomike mujore për një familje me 4 anëtarë, sot kjo diferencë thuajse është dyfishuar. Votimi në Parlament i ligjit të rritjes së pagave, tregoi se nuk është qëllimi që nga rritja e pagës së administratës të shtohet presioni mbi tregun, as nuk niset nga nevoja për frenim emigracioni.

 

Modeli shqiptar i zhvillimit nuk ka arritur të përcjellë paga të larta në ekonomi. Shqipëria nuk e ka orientuar ekonominë nga tërheqja e investimeve të huaja, por ka mbetur në planin e konkurrimit me krahun e lirë të punës dhe kryesisht bazuar në ndërtim. Shqipëria është e fundit në rajon për tërheqjen e investimeve të huaja, gjithashtu vendi me të ardhurat më të ulëta në buxhet në raport me PBB-në, nën 30%, ndërsa të tjerët janë mesatarisht 40%. Rritja ekonomike mbetet më e ulët se rritja e planifikuar, borxhi më i lartë publik në rajon, i mbuluar me Eurobonde, dhe me nivelin më të lartë të kontratave PPP. U premtua rritja ekonomike 4.84% për vitin 2023, por Banka Botërore dhe FMN, parashikojnë se vështirë mund të arrihet në 2.2%.”, tha Meta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *