Shtetet e Bashkuara kritikuan ashpër njoftimin se Rusia mund të tërhiqet nga Traktati i Ndalimit të Provave Bërthamore.

 

“Një vendim i tillë nga një vend nënshkrues rrezikon pa nevojë normat globale kundër provave bërthamore”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

 

 

Ligjvënësit rusë do të shqyrtojnë mundësinë e tërheqjes nga Traktati për Ndalimin e Provave Bërthamore, tha të premten kryetari i dhomës së ulët të parlamentit rus.

 

Deklarata e ligvënësit Vyacheslav Volodin erdhi pasi presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se Moska mund të konsiderojë tërheqjen nga traktati ndërkombëtar, pasi Shtetet e Bashkuara kurrë nuk e ratifikuan atë.

 

“Kjo është në përputhje me interesat tona kombëtare”, tha ligjvënësi Volodin. “Dhe kjo do të vijë si një përgjigje e duhur ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat ende nuk e kanë ratifikuar traktatin.”

 

Traktati i vitit 1996, që ndalon “të gjitha shpërthimet bërthamore ose provat e tjera bërthamore” në të gjithë botën është nënshkruar nga 187 vende, por Shtetet e Bashkuara dhe shtatë vende të tjera nuk e kanë ratifikuar atë.

 

“Do të ishte shqetësuese dhe për të ardhur keq nëse një vend nënshkrues do të shqyrtonte tërheqjen nga Traktati Gjithëpërfshirës i Ndalimit të Provave Bërthamore”, tha në një deklaratë Robert Floyd, kryetar i komisionit që mbështet zbatimin traktatit.

 

Ka shqetësime të përhapura se Rusia mund të rifillojë provat bërthamore në përpjekje për të nxitur Perëndimin të heqë dorë nga vazhdimi i mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

 

Volodin tha se ligjvënësit do të diskutojnë rreth tërheqjes nga traktati bërthamor në takimin e ardhshëm të këshillit të ligjvënësve mbi përcaktimin e axhendës të Dhomës së Ulët të Parlamentit rus.

 

“Uashingtoni dhe Brukseli kanë nisur një luftë kundër vendit tonë”, tha ligjvënsëi Volodin. “Sfidat e sotme kërkojnë vendime të reja.”

 

I pyetur të premten nëse tërheqja nga traktatit do të çonte në rifillimin e provave bërthamore, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve se “kjo nuk do të jetë një deklaratë mbi qëllimin për të rifilluar provat bërthamore”.

 

Duke folur të enjten në një forum me ekspertë të çështjeve të jashtme, Presidenti rus Putin tha se ndërsa disa ekspertë kanë folur për nevojën e kryerjes së provave bërthamore, ai ende nuk ka marrë një vendim për këtë çështje.

 

“Unë nuk jam gati të them ende nëse është e nevojshme që ne të bëjmë prova bërthamore apo jo”, tha ai.

Ndërkohë, një djalë 10 vjeçar dhe gjyshja e tij humbën jetën të premten në Ukrainë nga një sulm rus me raketa. Kjo ndodhi një ditë pasi një sulm tjetër me raketa në rajonin e Kharkivit mori jetën e të paktën 52 civilëve, duke u bërë një nga sulmet më vdekjeprurëse të luftës gjatë muajve të fundit. Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka dërguar një ekip për të hetuar rastin. Moska hodhi poshtë akuzat se kishte ndërmarrë sulmin./VOA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *