Rrajca, kjo zonë me rrënjë të thella në traditë, e sheh trashëgiminë kulturore jo si një kujtim të largët, por si një jetë të përditshme. Veshjet popullore, që dikur zbukuronin dasmat dhe festat, ruhen ende me përkushtim nga gratë e zonës. Ato i punojnë me dorë, fije pas fije, siç i kanë trashëguar nga nënat dhe gjyshet e tyre. Veshje aq fort te kërkuara nga turistët vendas dhe të huaj.
“Veshjet tona nuk janë thjesht rroba. Ato janë histori, janë kujtime, janë krenari. Ne i bëjmë me dorë, si dikur, dhe duam që edhe vajzat tona t’i mësojnë”, thotë Vase Dashi, banore.
Por pasuria shpirtërore e Rrajcës nuk ndalet te kostumet. Vallja tradicionale, me hapat e veçantë dhe ritmin karakteristik, mësohet që në vegjëli. Ajo është pjesë e identitetit që shoqëron çdo banor të zonës.
“Vallja jonë nuk është për zbukurim. Është rrënjë, është lidhje me tokën dhe me paraardhësit. Ne e mësojmë fëmijëve që të mos harrojnë kush janë”, thotë Nazmi Karaj.
Prej vitesh, banorët e Rrajcës po përpiqen që kjo trashëgimi e rrallë të njihet në rang ndërkombëtar. Synimi i tyre është përfshirja në listën e UNESCO-s për pasuritë kulturore jo materiale.
“Kemi bërë kërkesa, kemi bashkëpunuar me studiues dhe institucione, por na duhet më shumë mbështetje që kjo vlerë të mos mbetet vetëm brenda kufijve tanë”, thotë Destan Myftari.
Për të mbërritur në UNESCO, nuk mjafton vetëm pasioni i banorëve. Nevojitet ndihmë konkrete nga Ministria e Kulturës, pushteti vendor dhe organizatat që merren me trashëgiminë.
Sepse Rrajca nuk kërkon të ruajë traditat thjesht për vete. Ajo dëshiron të ndajë me botën një pjesë të shpirtit të saj, një pasuri që i përket të gjithëve./vizionplus.tv





