Partia Demokratike ka reaguar pasi kryeministri Edi Rama inspektoi sot një market në Tiranë, ku pa nga afër çmimet e produkteve ushqimore.

 

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku duke iu kundërpërgjigjur Ramës, theksoi se bordet alla komunizëm nuk janë zgjidhje e krizës.
Sipas Tabakut, masat e qeverisë janë populiste dhe tërësisht të pashëndetshme për ekonominë dhe aq më pak për qytetarin.

 

Mes të jerash ajo thekson se kjo paketë tregon fatkeqësisht se qeveria ende mendon buxhetin e shtetit si një torbë që i dhurohet oligarkëve dhe jo në shërbim të qytetarëve.

 

“Paketa e gjoja shpëtimit të krizës është ajo e talljes me qytetarët. Në një kohë kur çmimet për produktet më thelbësore të shportës së qytetarëve janë rritur me 200 lekë, në një kohë kur çmimi i naftës është kaq i lartë si pasojë e taksave të vendosura nga qeveria.

 

Atëherë zgjidhja që ofron qeveria është një paketë e programuar të implementohej në qershor që sillet më shpejt në kohë.
Nuk e shpëton qytetarin pagesa për 3 muaj me radhë e rritjes së çmimit të shportës, kjo është qesharake dhe nuk bazohet në nevojat reale. Qeveria nuk mund të shpërndajë lëmoshë por duhet të gjejë mekanizmat për të mos rënduar xhepin e qytetarëve.

 

Rruga e vetme është ajo e ndryshimit të strukturës së taksimit sidomos në një kohë kur inflacioni është 4%. Pra shqiptaët që marrin të njëjtën rrogë i blejnë produktet 4% më shtrenjtë se sa një vit më parë, pensionistët blejnë thuajse 7% më shtrenjtë produktet ushqimore ndërkohë që pensionet i kanë qesharake dhe më të ulëtat në rajon! Shqipëria sot është në një krizë të paralajmëruar që në shtator kur diskutohej buxheti. Qeveria asokohe ishte e shqetësuar të planifikonte satelitët në hapësirë ndërsa opozita këmbëngulte për qytetarët në Shqipëri.

 

Në këtë kohë krize qeveria po programon më shumë taksa; do rikthejë taksën për Biznesin e Vogël dhe një sërë taksash të tjera që do ta kthejnë jetën e një sipërmarrësi dhe të punësuari në një ferr të vërtetë. Masat e qeverisë janë populiste dhe tërësisht të pashëndetshme për ekonominë dhe aq më pak për qytetarin.

 

Nuk ka nevojë qytetari për lëmoshë! Kjo paketë tregon fatkeqësisht se qeveria ende mendon buxhetin e shtetit si një torbë që i dhurohet oligarkëve dhe jo në shërbim të qytetarëve”, shkruan Tabaku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *