Ministri i Drejtësisë Toni Gogu gjatë një takimi me komunitetin ndërkombëtar të donatorëve, vlerësoi mbështetjen që qeveria i ka dhënë sistemit të drejtësisë duke theksuar se për 6 vitet e fundit investimet janë rritur mbi 100%.
“Buxheti i institucioneve të drejtësisë është rritur nga 66 milionë Euro në vitin 2020 në 135.6 milionë Euro sot, rritje mbi 105% në gjashtë vite, me 709 vende pune shtesë të krijuara. Mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë për 2025–2027 arrin 43.8 milionë Euro, si komplement, jo si financim kryesor. Ky nuk është ndryshim shifror, është ndryshim cilësor”, tha Gogu.
Ministri propozoi Barometrin e Drejtësisë Albania duke kërkuar që investimet në reformë të maten nga ndikimi te qytetari, jo nga numri i projekteve.
“Për vite me radhë pyetja ishte nëse mund të ndërtonim institucionet e reja të drejtësisë. Sot pyetja është nëse ato po japin rezultatet që presin qytetarët,” deklaroi Ministri Gogu.
Sipas ministrit të Drejtësisë, mbështetja e partnerëve për periudhën 2025–2027 arrin rreth 43.8 milionë euro, një kontribut sipas tij i rëndësishëm dhe strategjik duke përafruar drejtësinë e vendit me ato të standardeve të BE.





