Kreu i demokratëve, Lulzim Basha ka paralajmëruar se PD do të publikojë fakte tronditëse se si qeveria ka dhënë 52 milionë euro tendera për miqtë e saj.
Përmes një postimi në “Twitter”, Basha theksoi se kjo shumë që është përdorur për tendera, mund të ishin përdorur për paketën e ndihmës social-ekonomike të propozuar nga PD prej 10 ditësh.
“Pas pak nga Selia e PD fakte tronditëse se si vetëm këto 2 javë qeveria ka dhënë 52 milion euro pagesa dhe tendera për miq dhe klientë. Ndërkohë shikoni një shembull se si mund të përdoreshin këto para për paketën e ndihmës social-ekonomike që kemi propozuar prej 10 ditësh: Për të vetëpunësuarit në biznesin e vogel, qeveria t’ju paguajë 300 Euro për çdo muaj që biznesi qëndron mbyllur. Kostoja e kësaj mase shkon nga 20 – 25 milionë Euro/muaj. Për punonjësit në bizneset fasonë, call centers, dhe operatorë turistikë që janë të detyruar të rrinë në shtëpi: • Qeveria duhet të mbulojë të paktën pagën minimale kur ata nuk mund të paguhen fare. • Për ata që ua paguajnë pagën, kostoja e pagës të llogaritet si shpenzim i zbritshëm në masën 200% të këtij shpenzimi. Kostoja e kësaj mase nga 25 milionë deri 30 milionë Euro/muaj. Këto janë shpenzime plotësisht të përballueshme për buxhetin kur vetëm një kilometër rrugë e tenderuar kushton 20 milionë dollarë si tek Astiri.”





