Në më pak se një muaj pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, socialdemokratët, liberalët dhe Të Gjelbrit e përfunduan me sukses fazën e bisedimeve paraprake dhe janë gati të nisin bisedimet zyrtare për koalicion brenda kësaj jave.

Aleanca treshe, e ashtuquajtur “semafor” bazuar në ngjyrat e secilës parti, është e para në historinë e Republikës Federale dhe gjetja e kompromiseve parashikohet më e vështirë. Financat konsiderohen si një nga pikat kryesore të negociatave ndërsa posti i ministrit të Financave shihet si post kyç, prandaj aty fillon lufta e vërtetë për pushtetin e ardhshëm.

Sa i takon zgjerimit të unionit me anëtarë të rinj, të treja partitë e mbështesin atë në programet e tyre. Socialdemokratët gjermanë shkruajnë se angazhohen për afrim më të madh me shtetet e Evropës Juglindore dhe kërkojnë shprehimisht integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Në mënyrë më të detajuar dhe konkrete për Ballkanin dhe shqiptarët në programin e tyre shprehen Të Gjelbrit të cilët presin përparime konkrete në integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ata kërkojnë hapjen e kapitullit të parë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut” dhe liberalizimin e vizave për kosovarët.  Ndërsa përparimet në dialogun Serbi-Kosovë i quajnë të domosdoshme. Të Gjelbrit gjithashtu kërkojnë në program pajtimin në Ballkan dhe nxjerrjen para drejtësisë të krimeve të luftës ndërsa kundërshtojnë qartë zhvendosjet etnike të kufijve.

Sakaq Liberalët e FDP-së, nuk shprehen konkretisht në program për zgjerimin e Bashkimit Europian dhe Ballkanin Perëndimor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *