Subscribe

Flamur Noka është deputeti i vetëm për të cilin kolegët e tij socialistë kërkojnë përjashtimin nga kuvendi.

Përmbysja e karrigeve, përpjekjet për të goditur punonjësit e gardës së republikës dhe ndezja e tymueseve në seancën e së enjtes ku u votua heqja e imunitetit të Sali Berishës janë arsyet që kërkohet përjashtimi i Flamur Nokës.

Deputeti demokrat do të jetë i pari mbi të cilin do të zbatohet rregullorja e re. Ajo parashikon masë ndëshkuese më të lartë.

Flamur Noka rrezikon deri në 60 ditë përjashtim për faktin se përdori  lëndë pirotekenike dhe që me rregulloren e re përveç përjashtimit nga jeta parlamentare i hiqet rroga edhe për dy muaj.

Pavarësisht këtij parashikimi në rregullore nuk është e thënë që Flamur Noka të ndëshkohet me masën më të lartë, atë 60 ditë. Numri i ditëve do të vendoset nga sekretariati i etikës që deri më tani nuk është mbledhur.

Flamur Noka është përsëritës në aktet e opozitës për të bllokuar jetën parlamentare. Më herët ai është ndëshkuar me 10 ditë përjashtim, por tanimë situata për të dhe për çdo demokrat tjetër ndryshon. Ata rrezikojnë një periudhë shumëfish më të gjatë përjashtimi.

Që nga aksioni i opozitës i nisur në tetor, kjo është hera e parë që grupi parlamentar socialist kërkon përjashtimin e një deputeti të vetëm. Ndoshta për shkak të ashpërsimit të masave ndëshkuese, socialistët u treguan më të kujdesshëm në ndëshkimin e kundërshtarit./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *