Në progres-raportin për vitin 2023, Komisioni Europian vlerësoi ecurinë e vendit sa i përket përmbushjes së kritereve kryesore në procesin e negociatave të integrimit në Bashkimin Europian, si dhe jepen rekomandimet që duhet të ndiqen në vijim.

 

Ministria e Financave dhe Ekonomisë është drejtuese e 13 kapitujve dhe “Kriterit ekonomik” në negociatat me Bashkimin Europian, ndërsa është bashkënegociuese në dy kapituj të tjerë. Komisioni Evropian ka vlerësuar progresin e bërë në disa prej kapitujve që negociohen nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

 

Sipas raportit, përparimi më domethënës është bërë lidhur me “Kriterin Ekonomik”, ku vendi ka avancuar nga vlerësimi i mëparshëm “i përgatitur në mënyrë të moderuar” në vlerësimin “një nivel i moderuar dhe i mirë përgatitjeje”.

 

“Raporti i borxhit publik ra nën nivelin para krizës së vitit 2019. Reformat kanë nisur për të përmirësuar planifikimin dhe ekzekutimin e shpenzimeve dhe investimeve, si edhe monitorimi i rreziqeve fiskale ka vijuar të përmirësohet,” thekson raporti.

 

Gjithashtu, u shënua progres, me një rritje të shkallës së vlerësimit në Kapitullin 7 “E drejta e pronësisë intelektuale” dhe Kapitullin 19 “Politika sociale dhe punësimi”, ku vlerësimi avancoi në “i përgatitur në mënyrë të moderuar”.

 

Po ashtu, Komisioni Europian vlerëson se është arritur progres në zbatimin e rekomandimeve të MONEYVAL dhe Task Forcës së Veprimit Financiar (FATF), ku si rrjedhojë Shqipëria doli nga lista gri në tetor 2023.

 

Sa i përket kritereve ekonomike, KE vlerëson në raport se Shqipëria ka një nivel midis mesatares dhe nivelit të mirë të përgatitjes në zhvillimin e një ekonomie tregu funksionale dhe ka bërë përparim në adresimin e rekomandimeve të vitit të fundit.

 

“Ekonomia tregoi qëndrueshmëri dhe rritja e PBB-së mbeti e fortë gjatë 2022, pavarësisht pasojave ekonomike nga lufta e Rusisë. Shqipëria ka nivel përgatitjeje për të përballuar presionin konkurrues dhe forcat e tregut brenda BE-së, si dhe ka bërë disa përparime në reformat strukturore në tregun e energjisë, transportit, infrastrukturës, dhe digjitalizimin e ekonomisë”, thuhet në raport.

 

Komisioni vëren se Shqipëria ka arritur një nivel mesatar përgatitjeje në shumë fusha që lidhen me konkurrencën dhe rritjen gjithëpërfshirëse, përkatësisht taksat, politikat e sipërmarrjeve dhe industrisë, politikat sociale dhe punësimin, arsimin dhe kulturën, si dhe doganat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *