Porta e Alpeve, iniciativa më e re që ka ndërmarrë qeveria për të nxitur turizmin në pjesën veriore të vendit, pritet të risi numrin e turistëve, të ardhurat në buxhet dhe vlerën e pronës.
“Parashikojmë rritje 10 % për vizitor dhe 15-20 milionë euro të ardhura shtesë në vit nga ky projekt dhe rritje të vlerës së pronës 10-15 %”, tha zv.ministri i Financave Endrit Yzeiri.
Projekti, që do të shërbejë si një korridor blu midis bregdetit dhe veriut të Shqipërisë, pritet të nisë së shpejti. Në Komisionin e Bujqësisë është diskutuar dhe mënyra e financimit të kësaj iniciative me një fond total prej 100 mln euro.
“Sa i takon termave financiare, afati i zbatimit do të jetë prej 5 vitesh, kontrata ka maturitet prej 25 vitesh, ka një periudhë grace për 5 vitet e para, norma e interesit është 3.8-3.9 për qind. Është një kredi e butë dhe e vlefshme për buxhetin e shtetit. gjysma tjetër e investimit prej 50 milionë eurosh, synojmë ta sigurojmë si financim nga Banka Gjermane e Zhvillimit”, shtoi Yzeiri.
Projekti është i fokusuar në zonën e Lezhës, Shkodrës dhe Malësisë së Madhe dhe synon të lidhë më mirë zonat e veriut me njëra-tjetrën dhe pjesën tjetër të vendit.





