VIDEO/ 40 sekonda tmerri në Venezuelën, momenti kur tërmetet rrafshuan lagje të tëra, mijëra persona nën rrënoja

Gërmadhat dhe rrënojat janë gjithçka që ka mbetur nga dhjetëra ndërtesa të shembura pas dy tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën. Banorët e tmerruar e kaluan natën në rrugë, larg banesave të tyre, ndërsa mijëra persona u detyruan të evakuoheshin nga zonat më të prekura. Ndërkohë, ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nisur operacione intensive mes rrënojave në kërkim të të mbijetuarve, teksa autoritetet po përballen me pasojat e një prej fatkeqësive më të rënda natyrore që ka goditur vendin në dekadat e fundit.
Të paktën 32 persona kanë humbur jetën dhe rreth 700 të tjerë janë plagosur pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën Venezuelën mbrëmjen e së mërkurës, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe panik në të gjithë vendin.
Sipas autoriteteve venezueliane, tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 u regjistruan me vetëm një minutë diferencë nga njëri-tjetri, ndërsa epiqendra ndodhej pranë qytetit Morón, rreth 168 kilometra në perëndim të kryeqytetit Caracas.
Banorët e Caracas-it dhe zonave të tjera të prekura u detyruan të braktisnin shtëpitë dhe ndërtesat, ndërsa shumë prej tyre kaluan orë të tëra në rrugë nga frika e lëkundjeve të tjera. Në disa lagje janë shembur ndërtesa, janë rrëzuar shtylla elektrike dhe janë bllokuar rrugë nga mbetjet e ndërtimeve.
Autoritetet kanë shpallur gjendjen e emergjencës, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionet për nxjerrjen e personave të bllokuar nën rrënoja. Shërbimet e metrosë dhe furnizimi me gaz natyror në kryeqytet janë pezulluar për arsye sigurie.
Dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në Aeroportin Ndërkombëtar Simón Bolívar, i cili është mbyllur përkohësisht. Gjithashtu, aktiviteti mësimor është ndërprerë për disa ditë, ndërsa një pjesë e shkollave po përdoren si strehimore dhe qendra ndihmash për familjet e prekura.
Pamjet nga zonat e goditura tregojnë ndërtesa të shembura, rrugë të mbuluara nga rrënojat dhe banorë që kërkojnë të afërmit e tyre mes kaosit. Në disa zona është ndërprerë energjia elektrike dhe komunikimi telefonik.
???????? | TERREMOTO EN VENEZUELA: Caracas pic.twitter.com/j6iOEKOV1d
— Alerta News ???? (@Alerta_News_) June 24, 2026
Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Venezuelën në përballimin e pasojave të katastrofës natyrore. Operacionet e emergjencës vijojnë, ndërsa bilanci i viktimave dhe të plagosurve pritet të ndryshojë në orët në vijim.
/vizionplus.tv




